RMV, Gjykata e liroi nga akuza deputeten rekordere për shpenzime rrugore

Ish-deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, e akuzuar në rastin “Drumarina”, që kishte të bënte me shpenzimet e udhëtimit, mori lirim nga akuza. Rasti është iniciuar nga ish- Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërsa pas shpërbërjes së saj kaloi në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) Shkup, transmeton Portalb.mk.

Boneva ndiqej për veprën penale të mashtrimit në shërbim.

“Gjykata ka konstatuar se prokurori publik jashtë dyshimit të arsyeshëm nuk e ka dëshmuar veprën që i ngarkohet të akuzuarës, ndërsa lidhur me pretendimin për dëm të RMV-së përfaqësuesi e ka referuar në kontest”, njoftoi Gjykata Themelore Penale Shkup.

Aktakuza për këtë rast është ngritur në shtator të vitit 2020, ndërsa gjykimi ka filluar në dhjetor të po atij viti.

Boneva ndiqej se në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2015 ka dorëzuar në shërbimet e Kuvendit fatura fiskale false nga tarifat, pas së cilës i është paguar mbi 10 mijë euro, ndonëse kishte banesë në Shkup dhe nuk ka udhëtuar për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Ish-deputetja nga ana tjetër i hodhi poshtë akuzat duke thënë se ishte një akuzë e rreme dhe paushalle.