RMV, filloi fushata kombëtare për kontroll falas për hepatitin dhe HIV-in
Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Qendrën Hepar – Manastir dhe klinikat për gastroenterohepatologji dhe sëmundje infektive, me rastin e Ditës Botërore për Luftën kundër Hepatitit, filluan një fushatë të përbashkët kombëtare për skrining falas dhe anonim për Hepatit B, Hepatit C dhe HIV, si dhe elastografi për sëmundje kronike të mëlçisë, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë rast, të hënën, më 28 korrik 2025, nga ora 10:00 deri në 13:00, do të vendoset një njësi mobile në sheshin “Maqedonia” në Shkup, prej nga do të fillojë skriningu falas dhe anonim për zbulimin në kohë të sëmundjeve të mëlçisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Fushata kombëtare do të realizohet në 10 qytete të vendit. Qëllimi është të rritet ndërgjegjësimi për sëmundjet e mëlçisë, siç janë: kanceri i mëlçisë, yndyrëzimi i mëlçisë me origjinë alkoolike dhe joalkoolike, cirroza dhe sëmundjet e rralla të mëlçisë.
Lista e qyteteve ku do të kryhet skriningu falas:
28 korrik | Shkup: 10:00–13:00 / Kumanovë: 18:00–20:30
30 korrik | Tetovë: 10:00–12:30 / Gostivar: 18:00–20:30
01 gusht | Strugë: 10:00–12:30 / Ohër: 18:00–20:30
04 gusht | Manastir: 10:00–12:30 / Prilep: 18:00–20:30
06 gusht | Shtip: 10:00–12:30 / Gjevgjeli: 18:00–20:30
Kujtojmë se, numri i pacientëve HIV pozitiv në Maqedoninë e Veriut është në rritje e sipër, derisa buxheti për ilaçe dhe parandalim po zvogëlohet. Për këtë arsye, pati edhe reagim, në fund të vitit të kaluar (2024) nga shoqata “Së bashku më të fortë”, në emër të 13 organizatave të shoqërisë civile dhe Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si pjesë e Platformës së organizatave të shoqërisë civile që zbatojnë shërbime për parandalimin e HIV-it, i dërguan letër kryeministrit Hristijan Mickoski si dhe ministrisë së Shëndetësisë. Në reagim patën theksuar zvogëlimin e buxhetit për 10 milionë denarë në krahasim me buxhetin e vitit paraprak për këtë qëllim.