RMV, “Eko-svest” i dërgoi letër me propozime Qeverisë së re lidhur me prioritetet që duhet të ketë për mjedisin dhe klimën

Eko-svest sot dërgoi letër me propozime në të cilën jep kontributin e saj në programin e Qeverisë së re dhe shpjegon masat për secilin nga komponentët për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit. Më konkretisht, ajo rendit si prioritet rëndësinë e marrjes së masave dhe aktiviteteve që synojnë dekarbonizimin dhe veprimin ndaj klimës, sigurimin e energjisë “së zgjuar” për të gjithë, pastrimin e pikave të nxehta historike, përmirësimin e cilësisë së ajrit, sigurimin e mbrojtjes së duhur për natyrën dhe ujin dhe realizimin e projekteve që do të mundësojnë zhvillimin e ekonomisë rrethore në vend, transmeton Portalb.mk.

“Mjedis i shëndetshëm dhe i pastër, i cili është e drejtë e garantuar me Kushtetutë e çdo qytetari të Maqedonisë, ruajtja e natyrës dhe përmirësimi i standardeve mjedisore, si dhe masa ambicioze për veprim klimatik që do të kontribuojë në përmirësimin e dukshëm të cilësisë së jetës dhe mirëqenia e njerëzve duhet të jetë prioriteti kryesor për Qeverinë e re”, thonë nga Eko-svest.

Nga kjo shoqatë thonë se në dekadën e fundit, qytetarët janë bërë dukshëm të shqetësuar për kushtet mjedisore pasi ato ndikojnë në shëndetin e tyre. Ata shtojnë se është e nevojshme që qeveria e re të fokusohet në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve nëpërmjet mbrojtjes dhe përmirësimit të mjedisit, si dhe rritjes së standardeve që do të kontribuojnë në parandalimin e ndotjes së natyrës.

“Çdo politikë dhe vendim që prek mjedisin është politikë që ndikon në shëndetin tonë. Marrja e vendimeve në interes të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve të Maqedonisë duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024”, tha Ana Çoloviq Lesoska, drejtoreshë ekzekutive e Eko-svest.

Shoqata Eko-svest shton se me njohuritë e saj profesionale të marra gjatë 22 viteve të punës në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe veprimit të klimës është e hapur për diskutim dhe ndihmë në zbatimin e politikave dhe masave më të mira në këto fusha që do të mundësojnë përmirësimin e jetës dhe mirëqenien e qytetarëve të Maqedonisë.

Ndryshe, më 25 maj, në parkun e Qytetit – Shkup, do të mbahet ngjarje ku do të mund të dëgjoni fjalime nga studiues dhe aktivistë të cilët do të kërkojnë veprim për parandalimin e ndikimeve negative klimatike në vendin tonë.

Kujtojmë se një studim i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit të Klimës (PIK) i publikuar në revistën shkencore “Nature” tregoi se ndryshimi i klimës mund të shkaktojë deri në vitin 2050 një rënie prej rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB). Shkencëtarët thanë se kjo shifër do të përkeqësohet nëse vendet nuk arrijnë të përmbushin objektivat për uljen e emetimeve.