RMV duhet të merr shembull nga BE-ja, e cila është e fokusuar të ofrojë stabilitet ekonomik dhe siguri kibernetike

Sfidat e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve ballkanike në përgjithësi, nën dritën e sigurisë dhe rritjes ekonomike kanë qenë në fokusin e panelit të parë me titull: Siguria rajonale dhe rritja ekonomike, në kuadër të Samitit të Alumni-ve të Ballkanit “Sigurimi i Prosperitetit Rajonal përmes Lidershipit të Gjeneratës së Ardhshme”, i organizuar nga Shoqata e Alumni-ve Maqedono-Amerikanë (MAAA) me mbështetjen e ambasadës së SHBA-së në Shkup, shkruan Portalb.mk.  

Paneli ka bashkuar politikbërës, ekspertë të sigurisë dhe ekonomisë për të diskutuar lidhjet midis sigurisë rajonale dhe rritjes ekonomike.  

Malinka Ristevska Jordanova, anëtare e Këshillit të Sigurisë të Maqedonisë së Veriut theksoi ndryshimin e madh të agjendës së BE-së. 

“BE-ja dhe NATO-ja kanë ndryshuar, politika e SHBA-së ka ndryshuar thellësisht, megjithëse ajo që kemi parë ndikimin e këtij ndryshimi është se Ballkani përshkruhet kryesisht si një vend i paparashikueshëm. BE-ja do të duhet dhe të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Agjenda e BE-së ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani gjithçka ka të bëjë me gjeopolitikën. Sundimi i ligjit më shumë si një mision i shpallur”, tha mes tjerash Ristevska Jordanova. 

Mentor Vrajolli, ekspert i sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (KCSS) theksoi se sfidat kryesore sot janë sulmet kibernetike.  

“Dhe, ne duhet të punojmë më proaktivisht në këtë drejtim. Kemi ndikime të ndryshme që mund të na lëndojnë, si shtete dhe si rajon. Ndikimi rus është mjaft aktiv në rajonin tonë. Nuk ka alternativë tjetër për vendet e Ballkanit. Qëllimi është BE”, tha Vrajolli. 

Viktorija Trajkov, zëvendësministre për Çështje Evropiane në RMV, duke numëruar sfidat politike që ka kaluar vendi, theksoi edhe sfidat në fushën e sigurisë. 

“Kemi bërë shumë ndryshime në rrugën drejt BE-së. Sa i përket sigurisë, gjithashtu ka shumë sfida. Ne marrim pjesë në bashkëpunimin e përbashkët për sigurinë dhe mbrojtjen. Kemi bërë shumë gjëra për t’u përmirësuar me institucionet përkatëse të partnerëve tanë. Siguria kibernetike është një problem i madh në vendin tonë. Ka pasur kërcënime për bomba në disa shkolla”, theksoi Trajkov.  

Fatmir Besimi, ish ministër i Financave në Maqedoninë e Veriut vëri theksin mbi aspektin ekonomik. 

“Nëse dëshironi rritje, ju nevojitet stabilitet. Për të pasur stabilitet të qëndrueshëm, ju nevojitet prosperitet. Kjo është sfidë për rajonin dhe kjo është gjithashtu sfidë për BE-në. Evropa nuk mund të jetë e gjitha pa këtë pjesë të kontinentit.  Nuk mund të presim që kompanitë e mëdha të vijnë në Maqedoninë e Veriut. Duhet të krijojmë mundësi, duhet të krijojmë shanse, pse këto kompani duhet të vijnë. Ne kemi njerëz, punëtorë, ata duhet të trajnohen – kemi kapital njerëzor. Infrastruktura, reformat, krijimi i institucioneve kredibile, gjithashtu janë të rëndësishme në rrugëtimin tonë”, tha mes tjerash Besimi.  

Kujtojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut tash e dy dekada në rrugëtimin e saj drejt BE-së po përballet me shumë sfida. Si vend në zhvillim e sipër nuk ka qenë imune ndaj sulmeve kibernetike, krizave ekonomike, por edhe ndryshimeve gjeopolitike. Pavarësisht barrierave, Maqedonia e Veriut sot është anëtare e NATO-s, por ende mbetet vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.