RMV dhe Mali i Zi nënshkruajtën Memorandum Mirëkuptimi për digjitalizim dhe siguri kibernetike

Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA) Azir Aliu, së bashku me ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi – Marash Dukaj, sot në Shkup kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në sferën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, raporton Portalb.mk.

Fokus i këtij memorandumi janë digjitalizimi i të dhënave, mbrojtja e sistemeve digjitale, shkëmbimi i informacioneve, i njohurive, dhe i kapaciteteve njerëzore. Gjithashtu, të dy shtetet do të aplikojnë së bashku për t’u bërë pjesë e sistemit për transferim elektronik të parave, PayPal, pasi vetë ndërmarrja ua ka sugjeruar një gjë të tillë.

“Ishte nder dhe kënaqësi të mirëprisja kolegun tim, ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi – z.Marash Dukaj. Për të konkretizuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, sot po nënshkruajmë Memorandumin e Mirëkuptimit për nxitjen e politikave zhvillimore dhe sipërmarrjes në sferën e teknologjisë digjitale dhe sigurisë kibernetike. Përforcimi i sigurisë kibernetike, veçanërisht në këtë periudhë kur teknologjia po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, është një sfidë e përditshmërisë që kërkon gjithmonë vëmendje, përkushtim dhe bashkëpunim. Digjitalizimi, mbrojtja e sistemeve tona, shkëmbimi i informacioneve, shkëmbimi i njohurive, kapacitetet njerëzore, që pasqyrojnë vlerat më të rëndësishme për sektorin e sigurisë kibernetike, janë fokusi i këtij Memorandumi”, tha ministri Aliu.

Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, u tregua optimist për mbledhjen e sotme dhe për realizimin e Memorandumit.

“Siguria kibernetike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në shoqëritë tona, të gjitha vendet e rajonit po përballen me kërcënime të shumta, prandaj bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm për një luftë efikase kundër këtyre kërcënimeve edhe për mbrojtjen e shoqërisë, ekonomisë dhe infrastrukturës tonë”, tha ministri Dukaj.

Dy palët më 21 korrik të këtij viti, në mbledhjen e Qeverisë së Malit të Zi, deklaruan publikisht se PayPal u kishte sugjeruar të bëhen pjesë e sistemit dhe të dy shtetet ishin në pajtim me këtë. Sot u konfirmua se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do ta fillojnë procesin e aplikimit së bashku.