RMV, dëmshpërblime të majme për drejtorët që shkarkohen para kohe
Penalet për kontratat e shkëputura menaxheriale i paguajnë qytetarët
Qeveria i emëron. Kur vjen opozita në pushtet i shkarkon. Disa edhe para kohe, e pastaj i emëron të vetët. Në fund, “penalet” për shkarkimin e parakohshëm të drejtorëve i paguajnë qytetarët, transmeton Prizma.
Drejtorët padisin, e gjykatat më së shpeshti gjykojnë që të dëmshpërblehen me mijëra euro.
Nënshkrimi i kontratave menaxheriale me shoqëritë aksionare në pronësi shtetërore dhe me ndërmarrjet publike siguron dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të angazhimit. Përveç rrogës themelore, këto kontrata menaxheriale, të cilat në praktikë shqyrtohen në seanca të mbyllura qeveritare, parashohin edhe shpërblim për rezultatet e arritura nëpërmjet pjesëmarrjes në fitimin e shoqërisë ose shpërblim për detyra të posaçme të besuara.
BIRN analizoi se “çfarë dëmshpërblimesh” u paguajmë drejtorëve të shkarkuar dhe anëtarëve të këshillave drejtues.
Flamur i verdhë nga revizorët
Në Maqedoni ka 29 Shoqëri aksionare dhe ndërmarrje publike në pronësi shtetërore. Më këto shoqëri dhe ndërmarrje publike udhëheqin menaxherë, të cilët emërohen për një periudhë prej katër vitesh.
Ndërsa Qeveria nuk e ka problem që për një ditë në seancë të shkarkojë dhe të emërojë dhjetëra anëtarë këshillash drejtues dhe mbikëqyrës. Kështu, në seancën e 147 në vitin 2019 janë emëruar 35 anëtarë të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës dhe janë dorëzuar dy rekomandime deri të këto këshilla për emërim drejtorësh.
E përderisa pothuajse asnjëherë nuk diskutohet publikisht se sa ato janë të suksesshëm, sekret publik është se me marrjen e funksionit ato nënshkruajnë një kontratë, e cila garanton dëmshpërblim nëse “shkarkohen” para kohe.
Ky “paket financiar”, gjegjësisht “dëmshpërblim” mund të jetë minimalisht tre, dhe maksimalisht 12 rroga mujore, në varësi prej asaj se sa kohë kanë qenë në funksion.
Enti Shtetëror i Revizionit pikërisht këtu vëren shpenzime të mëdha parash.
I tillë është rasti me dy anëtarë të mëparshëm të Këshillit drejtues të MEPSO-s, të cilët u gjendën në raportin më të ri të revizorëve për këtë shoqëri aksionare në pronësi shtetërore.
Revizorët e gjetën fajin te kompania dhe rekomanduan kujdes në shpenzime, sepse shumë e konsiderueshme parash po shpenzohet për shkak të kontratave menaxheriale të ndërprera para kohe, ose 37 mijë euro vetëm në vitin 2021.
Nga MEPSO reaguan se ato nuk janë shoqëria e vetme aksionare në pronësi shtetërore që paguan dëmshpërblim të këtillë. Kështu ka qenë edhe me të gjitha shoqëritë e tjera aksionare.
Argumentet e revizorëve në raport janë të qarta – MEPSO ushtron veprimtari të interesit publik, kështu që “nevojitet të rikonsiderohet nevoja e parashikimit të së drejtës së dëmshpërblimit në kontratat menaxheriale”.
Dëmshpërblimi i këtillë, siç shënuan vetë ato, paguhet “vetëm tek kompensimet nga marrëdhëniet e punës gjatë pensionimit”.
BIRN, pas gjurmëve të asaj se çfarë paguajnë shoqëritë aksionare dhe ndërmarrjet publike, gjeti një Aktgjykim në të cilin një anëtar i mëparshëm i këshillit drejtues në MEPSO e ka paditur kompaninë dhe ka kërkuar mbi 15 mijë euro dëmshpërblim. Arsyeja ka qenë pikërisht ajo – kontrata e ndërprerë para kohe.
Mirëpo gjykata e ka refuzuar sepse anëtari i dikurshëm i këshillit drejtues ka qenë i dënuar me dënim me kusht për marrje të ryshfetit. Ky ka qenë një nga kushtet e kontratës, për të cilin nuk i takon dëmshpërblimi.
Kjo gjë nuk ka ndodhur me një anëtare tjetër të Këshillit drejtues të MEPSO-s, e cila është shkarkuar para kohe. Për gjyqin nuk ka pasur ndikim fakti që MEPSO ka qartësuar se ndaj sa po ndiqet procedurë pranë Policisë Financiare sepse ka punuar kundër interesave të shoqërisë.
“Kjo nuk mund të ndikojë për të sjellë vendim ndryshe”, shkruan në aktgjykim.
Nga karrigia e inspektorit në atë të menaxherit
“Lëvizja” e funksionarëve nga njëri vend në tjetrin është një “akrobatikë” e njohur kadrovike, kështu që as edhe shkarkimi i dikujt nuk është arsye që ndonjë funksionar të mos emërohet drejtor përsëri edhe atë në një shoqëri aksionare në pronësi shtetërore pas të cilit qëndron kontratë menaxheriale.
I tillë është rasti me kërçovarin Llokman Limani. Atij Qeveria i ofroi dy poste të ndryshme drejtori. E para ishte në vitin 2018, kur ishte kuadër i BESËS, i emëruar si U.D. e pastaj si Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit. Mirëpo, në vitin 2020 qeveria e shkarkoi.
Emri i tij përsëri u gjend në seancë të qeverisë vitin e kaluar në janar, kur qeveria e zgjodhi për anëtar të bordit të drejtorëve të SH.A. “Ekonomia e Ujërave të RMV-së”. Këtë herë si kuadro të Alternativës. Limani më pas u zgjodh edhe si drejtor gjeneral dhe ekzekutiv.
Tetë muaj më pas, gjegjësisht në shtator të vitit të kaluar, emri i Limanit edhe një herë u gjend në seancë qeveritare. Tani si propozim për shkarkim. Qeveria i rekomandoi Këshillit drejtues të Ekonomisë së Ujërave ta ndërpresë kontratën menaxheriale me atë, si dhe të gjitha kontratat e tjera menaxheriale. Propozoi që të lidhen kontrata të reja, me pëlqim paraprak nga Ministria e financave.
Përveç kësaj, Qeveria u propozoi anëtarëve të Këshillit drejtues që ta përgjysmojnë kompensimin për anëtarësim për 12 muajt e ardhshëm për 50 përqind.
E gjithë kjo ndodhi pasi paraprakisht të punësuarit e Ekonomisë së ujërave u ngritën në protestë për t’i kërkuar rrogat e pa paguara.
Prej atëherë për gjashtë muaj ka ndodhur një “perestrojkë” dhe rikonstruim i qeverisë. Kështu, Alternativa, nga e cila erdhi Limani, doli nga koalicioni qeveritar. Mirëpo, ai ende është drejtor i Ekonomisë së Ujërave.
Ndërrime të shtrenjta të funksionarëve
Konfidenciale. Nën këtë shenjë në mars të vitit 2015, Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka lidhur kontratë menaxheriale me Sasho Stefanovskin e VMRO–DPMNE-së për angazhim si drejtor. Paraprakisht në këtë funksion e ka emëruar qeveria.
Stefanovski është dashur që të jetë drejtor i Fondit për katër vite, gjegjësisht deri në mars të vitit 2019. Mirëpo, në vitin 2017 u ndërrua pushteti, e ai u shkarkua nga funksioni. Në vendin e tij erdhi Den Donçev i VMRO-Popullores, e cila ishte pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja.
Ndërprerja e parakohshme e marrëveshjes ishte edhe arsyeja për të cilën Stefanovski ka kërkuar që Fondi t’i paguajë 12 paga bruto. E ka paditur Fondin se ka bërë shkelje të nenit 17 të kontratës së lidhur menaxheriale, që parasheh dëmshpërblim.
Kjo e drejtë mund t’i hiqet vetëm nëse drejtori ka kryer vepër penale të vërtetuar me vendim të prerë gjyqësor, por nuk ka qenë kështu.
Në aktgjykimin e shkallës së parë, gjykata ka vendosur se Fondi duhet t’i paguajë Stefanovskit gjithsej 21 mijë euro, gjegjësisht 12 muaj nga 110 mijë denarë rrogë bruto. Drejtori i mëparshëm, sipas aktgjykimit, është shkarkuar pas 28 muajsh, gjegjësisht para se t’i kalojë afati kontratës.
Përveç këtyre parave, gjykata e ka detyruar Fondin që t’i paguajë gjithsej 3.700 euro shpenzime të procedurës gjyqësore.
I ngjashëm është rasti me Dragan Dimeskin të partisë PODEM, i cili ka qenë i emëruar Drejtor për teknologjinë informatike dhe anëtar i Këshillit drejtues të SHA Posta e Maqedonisë së Veriut, me kontratë të nënshkruar në vitin 2016, që është dashur të zgjasë katër vite. Mirëpo, në vitin e ardhshëm 2017, pa arsyetim këshilli mbikëqyrës ka vendosur që ta shkarkojë nga pozita e anëtarit.
Dimeski e ka paditur Postën e Maqedonisë së Veriut për të njëjtën arsye si Stefanovski. Në aktgjykim shkruan se “pa arsyetim paditësi shkarkohet nga pozita e anëtarit dhe drejtor i marketingut dhe shitjeve”.
Gjykata civile në Shkup i ka caktuar 11 mijë euro dhe 1.500 euro shpenzime gjyqësore. Në depon e aktgjykimeve gjyqësore, shembuj të këtillë ka edhe për një drejtor të mëparshëm të Shoqërisë Aksionare për dhënien me qira të hapësirave afariste Qendra tregtare e qytetit.
Gjykata ka caktuar 36.800 euro dhe thuajse 2.000 euro shpenzime gjyqësore.
Kamatë për pagesën e vonuar
Ka një shembull, në të cilin një menaxher i shkarkuar nuk është kënaqur vetëm me dëmshpërblimin që i është paguar. Ka kërkuar t’i paguhen edhe kamata për pagesë të vonuar.
Viktor Stevkovski ka qenë anëtar i Këshillit drejtues të Postës. Atij, si dhe funksionarëve të tjerë, për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kontratës gjykata i ka caktuar thuajse 11 mijë euro dëmshpërblim.
Pasi Posta ia ka paguar paratë me vonesë, Stevkovski e ka paditur për kamatë të papaguar për pagesë të vonuar. Mirëpo, Apeli ka vlerësuar se kjo nuk është e paraparë në kontratën menaxheriale.
Seanca të mbyllura qeveritare dhe lajmërim për revizion
Në vit me humbje, kontraktohet sigurim menaxherial prej 45 mijë eurosh | Foto: BIRN
Nuk është hera e parë që revizorët të detektojnë kontrata menaxheriale kontestuese. Kjo është kështu nëse shihen edhe raportet e kaluara që ato përpilojnë. I tillë është raporti i revizorëve për SHA Postat i vitit 2020, në të cilin shkruan se, edhe pse Posta në vitin kur është bërë revizioni ka pasur humbje prej 10 milionë eurosh, për shtatë drejtorë është nënshkruar sigurim menaxherial prej 45.000 eurosh.
E për këtë qeveria ka dhënë pëlqim në seancë të mbyllur që në vitin 2016. Në fakt edhe analiza e BIRN-it mbi aktgjykimet konstatoi se miratimi i këtyre kontratave menaxheriale është bërë në seanca të mbyllura qeveritare.
Tani për tani mbi këtë temë ka vetëm një lajmërim nga kryeministri Dimitar Kovaçevski se do të bëjë revizion të kontratave menaxheriale, por në pjesën e lartësisë së rrogave.
Siç tha edhe ai vetë, “nëse i shihni kontratat menaxheriale të drejtorëve dhe anëtarëve të këshillave drejtues të ndërmarrjeve publike që punojnë me humbje me vite të tëra, do të shihni rroga më të larta se dy ministra së bashku”.