RMV, Darko Kostadinovski u zgjodh kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata njoftoi se sot gjyqtari Darko Kostadinovski është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Gjatë seancës u mbajtën dy raunde votimi, gjatë të cilave fillimisht u propozua gjyqtari Osman Kadriu i cili nuk ka marrë shumicën e nevojshme prej gjashtë votash.

Në raundin e dytë të votimit, me propozimin e gjyqtares Jadranka Daboviq Atanasovska, gjyqtari Kostadinovski mori shumicën e nevojshme, pas së cilës u zgjodh kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe fillon mandatin e tij si kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese më 11 janar 2018.

Ditëve të kaluara dështuan tetë përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Seanca për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese filloi më 30 maj.

Kreu i ri i Kushtetueses zëvendëson kryetaren paraprake, Dobrila Kacarskën, mandati trevjeçar i së cilës skadoi të dielën, më 2 qershor.

Sipas Rregullores së Punës, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjedh kryetarin e Gjykatës nga radhët e gjyqtarëve me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve, me votim të fshehtë.

Kryetarja e deritanishme e Gjykatës KushtetueseDobrila Kacarska, në një konferencë për media më 29.05.2024, prezantoi disa nga aktivitetet gjatë mandatit të saj trevjeçar.