RMV, Balancuesi iku në histori: Si e arsyetoi Kostadinovski vendimin dhe cilat janë pasojat eventuale?

Sot gjykatësit kushtetues të Maqedonisë së Veriut dërguan në histori instrumentin që ka balancuar përfaqësimin etnik në administratën shtetërore. Përpos që tashmë nuk do të kërkohet përkatësia etnike në konkurse, në të ardhmen do të jetë e vështirë të kemi statistika se sa prej atyre që paguhen me paratë e taksapaguesve për t’ju kryer shërbime administrative janë maqedonas, shqiptarë apo të përkatësive tjera etnike në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk. 

Vendimi është marrë me shumicë votash nga ana e gjykatësve, në mungesë të gjykatësit kushtetues Naser Ajdari. Kreu i kësaj gjykate, Darko Kostadinovski për afër 1 orë para gazetarëve arsyetoi vendimin.

Mes tjerash, Kostadinovski tha se qëllimi i këtij instrumenti është shterur pasi rrethanat nga viti 2001 kanë ndryshuar. Nëse qëllimi fillestar ka qenë diskriminimi pozitiv, Kostadinovski tha se ky instrument tash një kohë po kryen diskriminim klasik.

“Në 2001 kjo masë ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme, sepse rendi ynë juridik asokohe kishte anomali dhe ajo anomali duhej të rregullohet. Tash, shtrohet pyetja nëse qëllimi i ekzistimit të saj është shterur, raporte të ndryshme tregojnë që po, ky qëllim është shterur” tha Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski thotë se balancuesi qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, pasi në vazhdimësi ka qenë në përplasje me vlerat kushtetuese që janë “liria e deklarimit të përkatësisë etnike, barazia mes qytetarëve, ajo që gjithsecilit në kushte të njëjta i takon çdo vend pune, apo ndalimi i diskriminimit në cilëndo bazë”.

Shumica e gjykatësve në Kushtetuese vlerësojnë se përmes shfuqizimit të balancuesit do të ndikojnë që në të ardhmen të kemi një administratë publike më profesionale dhe që shërbimet që i ofrojnë ndaj qytetarëve do të jenë adekuate, pasi sipas Kostadinovskit – tashmë në konkurse s’do të diskriminohen profesionistët, vetëm për shkak të përkatësisë etnike.

“Kur shkoni në mjek, ju nuk pyesni se cilës përkatësi etnike i takon, për përkatësinë politike apo tjetër, njëjtë edhe kur kërkoni dokumente administrative apo lokale, nuk pyesni. Kemi nevojë për sektor publik profesional dhe kompetent, jam i bindur që asnjë prej juve nuk mendon se kemi sektor publik për asnjë vërrejtje, sepse nuk është ashtu” tha Darko Kostadinovski.

Për ta bindur masën për këtë, Kostadinovski mori për shembull gazetarin e Portalb-it.

“Nëse unë i përkas etnisë shumicë, dhe ju komunitetit pakicë, ju merrni 40 pikë ndërsa unë 100 pikë në një konkurs dhe juve u jepet përparësi, a do të na jep kjo kuadër të mirë, profesional dhe kompetent në sektorin publik? Absolutisht jo” ju drejtua Kostadinovski gazetarit të Portalbit.

Përpos shterjes së qëllimit të balancuesit, shkeljes së të drejtave të njeriut, si bazë për shfuqizimin e këtij instrumenti, Kostadinovski përmendi edhe vërrejtjet e Komisionit Evropian.

Unë i bindem Kushtetutës dhe vetëm Kushtetutës, s’më interesojnë partitë politike

Sikletin më të madh kreu i Kushtetueses, Darko Kostadinovski dukshëm e kishte te përceptimi i masës se ky vendim është marrë në koordinim me politikën, për këtë, pjesën më të madhe të konferencës për shtyp ai e harxhoi duke tentuar t’i bindë gazetarët se ky vendim nuk ka qenë i ndikuar.

“Manipulim është se gjykata me veprimet e saja në këtë lëndë apo në ndonjë lëndë tjera mund t’i prishë marrëdhëniet ndëretnike apo të nxitë destabilizim. Politikanët nuk duhet që t’i etnizojnë dhe politizojnë vendimet tona” tha Kostadinovski.

Mos dhashtë Zoti të marrim leje prej dikujt për atë që duhet të vendosim, tha Kostadinovski duke i komentuar zërat në publik se për këtë vendim ai ka qenë në dakordim të plotë më partinë në pushtet, VMRO DPMNE-në.

“As unë, as gjykata kushtetuese s’kemi bë deri tani dhe nuk do të bëjmë kompromise me dikënd. Për mua personalisht, po e përsëris, jam lojal ndaj kushtetutës, dhe vetëm kushtetutës, ndaj askujt tjetër. Gjykata kushtetuese do ju rezistojë të gjitha tendencave për ndikim dhe presion” shtoi Kostadinovski.

Rikujtojmë që këto akuza vijnë pasi kjo lëndë u mbajt në sirtar për disa vite ndërsa u vendos në rend të ditës kur pushtetin e morri partia që shfuqizimin e balancuesit e kishte në program qeverisës.

“Duke e respektuar në tërësi parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve të cilët u përkasin të gjitha komuniteteve në Maqedoni, Qeveria do ta ndryshojë rregullativën ekzistuese, me qëllim të heqjes së instrumentit “Balancues” gjatë punësimeve. Në këtë mënyrë, fillimisht do të respektohen cilësitë personale, profesionaliteti, kompetenca dhe sistemi i meritokracisë gjatë punësimit në institucionet shtetërore”, thuhet në programin e Qeverisë.

Megjithatë, burimet e Portalb-it thonë se qëndrimet e gjykatësve shqiptar në Kushtetuese kanë qenë në një vijë me qëndrimet e partive politike shqiptare ndërsa qëndrimet e gjykatësve Kushtetues maqedonas, kanë qenë një vijë me ato të partive politike me shumicë maqedonase.

Kjo situatë krijon boshllëk dhe pasiguri juridike

Jeton Shasivari, profesor i Kushtetueses dhe njohës i çështjeve juridike për Portalb thotë se me shfuqizimin e balancuesit, hiqet instrumenti i vetëm ligjor për diskriminim pozitiv i cili deri diku garantonte balanc etnik në sektorin publik.

Jeton Shasivari, profesor universitar.
Jeton Shasivari, profesor universitar.

“Me shfuqizimin e balancuesit praktikisht hiqet nga rendi juridik një instrument ligjor i diskriminimit pozitiv nëpërmjet të cilit zbatohej përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i të gjitha komuniteteve etnike në sektorin publik si vlerë e re themelore kushtetuese e v. 2001.” thotë Shasivari.

Ai shtoi se kjo situatë mund të çojë vendin në një pasiguri juridike, duke shtuar rastet e diskriminimit mbi baza etnike dhe prishjen e ekuilibrit horizontal etnik në punësimet në sektorin publik.

“Kjo situatë e re juridike krijon një boshllëk që do prodhojë pasiguri juridike në dy aspekte, i pari, për shkak të rrezikut potencial të shtimit të rasteve të diskriminimit mbi baza etnike dhe politike gjatë punësimeve në sektorin publik në të ardhmen në dëm të shqiptarëve por edhe të komuniteteve të tjera më të vogla etnike dhe i dyti, prishja e ekuilibrit horizontal etnik të punësimeve në sektorin publik pra rikthimi i gjendjes së mëparshme para se të vendosej ky instrument ligjor ku përqindja etnike e punonjësve në institucione varej vertikalisht nga përkatësia etnike e udhëheqësve të institucioneve.” shtoi Jeton Shasivari.

Shasivari për Portalb thotë që aktualisht ngelet në dorë të ligjvënësit që të inkorporojë një instrument ligjor tjetër apo identik me balancuesin, meqë përfaqësimi adekuat dhe i drejtë si vlerë kushtetuese nuk mund të zbatohet drejtpërësdrejti pa ndërmjetësimin e ligjeve dhe instrumenteve ligjore.

Por, gjithsesi për këtë Kostadinovski tha se çdo ligj i ri që do të sjellet, Kuvendi do të duhet ta ketë parasysh këtë vendim të Kushtetueses dhe t’i përmbahet atij në përpikmëri, pra të mos i detyrojë qytetarët të deklarojnë përkatësinë etnike gjatë punësimit.

Ndërkaq, koalicioni VLEN kanë paralajmëruar se shumë shpejt edhe zyrtarisht do ta propozojnë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat i cili do të zëvendësojë instrumentin balancues, por nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e ligjit dhe nëse i njëjti do të jetë i pranueshëm edhe për partnerin e tyre qeverisës, VMRO DPMNE-në.

Instrumenti balancues rrënjët i ka në Marrëveshjen e Ohrit ndërkaq lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit, sipas ish-kryetares të Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, zbatimi i dispozitave ligjore të kontestuara kërcënon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, shprehjen e lirë të përkatësisë kombëtare, përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e qeverisjes shtetërore dhe të institucioneve të tjera publike dhe të sundimit të ligjit të garantuar me dispozitat e Kushtetutës.