Tre shkencëtarë ndajnë Nobelin në Kimi për studimin e proteinave
David Baker, Demis Hassabis dhe John Jumper fituan të mërkurën çmimin Nobel në kimi për punën e tyre për parashikimin dhe ndërtimin e strukturës së proteinave, elementit themelor përbërës të qelizave, i domosdoshëm për jetën e organizmave të gjallë, raporton Zëri i Amerikës.
Heiner Linke, Kryetar i Komitetit Nobel për Kiminë, tha se çmimi nderon kërkimin që zbulon lidhjen midis molekulave të aminoacideve dhe strukturës së proteinave.
“Për dekada me radhë kjo është cilësuar një sfidë e madhe në kimi dhe veçanërisht në biokimi. Pra, është ky zbulim që po vlerësohet sot”, tha ai.
David Baker punon në Universitetin e Uashingtonit në Seattle, ndërsa Demis Hassabis dhe John Jumper punojnë të dy në laboratorin e Inteligjencës Afrtificiale ‘Deepmind’ në Londër, filial i kompanisë Google.
Zoti Baker krijoi një proteinë të re në vitin 2003 dhe që atëherë grupi i tij kërkimor ka prodhuar një sërë krijimesh imagjinare proteinash, duke përfshirë proteina që mund të përdoren për prodhimin e ilaçeve, si vaksina dhe nanomateriale, tha komiteti Nobel.
“Numri i strukturave që ata kanë prodhuar dhe publikuar dhe shumëllojshmëria është absolutisht e habitshme. Duket se mund të ndërtoni pothuajse çdo lloj proteine me këtë teknologji”, tha profesori Johan Åqvist i komitetit Nobel.
Demis Hassabis dhe John Jumper krijuan një model të inteligjencës artificiale që mund të parashikojë strukturën e pothuajse të gjitha 200 milionë proteinave që janë identifikuar nga kërkuesit, thuhet në vlerësimin e komitetit.
Kryetari i Komitetit Nobel për Kiminë, Linke theksoi se shkencëtarët kishin ëndërruar prej kohësh të parashikonin strukturën tredimensionale të proteinave.
“Katër vjet më parë, shkencëtarët Hassabis dhe Jumper arritën që me përdorimin e inteligjencës artificiale të bënin parashikimin e strukturës komplekse të çdo proteine të njohur”, tha zoti Linke.
Ndarja e çmimeve nobel nisi të hënën. Nobelin në Mjekësi e fituan shkencëtarët amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e mikroARN-së, përbërës i materialit gjenetik, që ndikon në mënyrën se si funksionojnë gjenet në nivel qelizor dhe që mund të çojë në mënyra të reja të trajtimit të kancerit.
Shkencëtari amerikan John Hopfield dhe ai britaniko-kanadez Geoffrey Hinton, fituan të martën çmimin Nobel në Fizikë.
Të enjten pritet të njoftohet Nobeli për letërsinë dhe të premten ai për Paqen. Në 14 tetor do njoftohet Nobeli në ekonomi.