RMV, aktakuzë kundër një doganieri dhe një shtetasi serb për kontrabandë të arit në vlerë prej rreth 2,2 milionë euro

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, RMV ka ngritur aktakuzë kundër një shtetasit serb për kryerjen e veprës penale “kontrabandë”, ndërsa aktakuzë është ngritur edhe kundër doganierit nga vendi i cili akuzohet se ka ndihmuar të huajin në kryerjen e veprës penale, transmeton Portalb.mk.

Siç ka njoftuar Prokuroria Publike, më 20 mars, shtetasi serb i akuzuar ka mbërritur në aeroportin e Shkupit me një fluturim nga Stambolli për në Shkup dhe duke iu shmangur kontrollit doganor ka transferuar 42,13 kilogramë bizhuteri të ndryshme nga ari në vlerë prej rreth 2,2 milionë euro.

Në kryerjen e krimit, një doganier i cili nuk ka qenë në detyrë në atë moment e ka ndihmuar atë. Nëpunësi i doganës e ka takuar shtetasin e huaj në zonë para kontrollit të pasaportave dhe ka tentuar ta ndihmojë atë të shmangë kontrollin doganor, duke e drejtuar fillimisht në korridorin “e gjelbër” të bagazheve për mallra të padeklaruar.

Megjithatë, ai korridor ka qenë i mbyllur me shirit sigurie dhe të gjithë pasagjerët janë drejtuar në korridorin e “kuq” për kontroll dhe për skaner.

Duke mos marrë parasysh këtë drejtim, doganieri e ka lëvizur shiritin e sigurisë, e ka kaluar vijën doganore së bashku me të akuzuarin dhe është nisur drejt daljes së aeroportit. Në atë moment kanë ndërhyrë edhe zyrtarë të tjerë doganor, pas së cilës të pandehurit janë ndaluar dhe gjatë kontrollit të bagazheve janë gjetur bizhuteritë me vlerë të arit.

Prokurori ka paraqitur edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për dy të pandehurit, pasi ekzistojnë ende baza ligjore për të cilat fillimisht ishte caktuar ajo masë.

Rikujtojmë se, në raportin e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC) në maj të këtij viti, thuhet se aeroportet e Ballkanit janë të cenueshëm ndaj krimit të organizuar, ndërsa aeroporti në Shkup dhe Beograd janë qendra rajonale për aktivitete të paligjshme. Ndërsa, Sa i përket kontrabandimit të drogës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, në raport thuhet se atje nga bagazhet e pasagjerëve rregullisht sekuestrohen sasi të vogla të drogës për konsum personal ose shitje me pakicë.

Në raport sugjerohet edhe se ka prova për korrupsion në aeroportet e Ballkanit, duke filluar nga ryshfetet e vogla për personelin e sigurisë, e deri tek keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i fondeve publike nga zyrtarë dhe menaxherë të lartë.