Rinovimi i tualetit në Laboratorinë e Kumanovës nuk u bë për 10 ditë siç u premtua, Aliu: përgjegjës është drejtori i spitalit
Pas raportimit për kushtet e këqija në tualetet e Laboratorisë në Spitalin e Kumanovës, Portalb.mk kërkoi përgjegjësi nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu i cili tha se përgjegjës për rinovimin është drejtori i spitalit, ndërkaq, nëse ka nevojë për punë më të gjera infrastrukturore, atëherë do të bëhet kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Portalb.mk dje e pyeti Ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliun, për ankesat e pacientëve në Spitalin e Kumanovës lidhur me kushtet e dobëta dhe mungesën e higjienës në tualetin e repartit laboratorik, si dhe për masat dhe afatet e përmirësimit të tyre.
“Nëse është puna vetëm për te tualetet, besoj që drejtori do t’i rinovojë pasi që është pjesë e vogël infrastrukturore që drejtori do të duhet ta menaxhon, nëse ka nevojë për aplikim të punëve më kollaj në infrastrukturë atëherë do të bëhet kërkesë në ministrinë e shëndetësisë, dhe ministria i analizon dhe pastaj i aprovon”, deklaroi Aliu.
Ai mes tjerash theksoi se do të bisedojë me drejtorin e spitalit dhe do të shohin se deri ku ka arritur situata.
“Afatet i definojnë në bazë nëse do të duhet të bëjë tenderim e dini ka procedurë administrative, nëse nuk do duhet të gjejnë ndonjë mjeshtër i cili do ta riparoje atë pjesë, nuk e di për çfarë bëhet fjalë”, tha Aliu.
Mes tjerash ministri tha se kushtet në shëndetësi janë të dobëta në gjithë vendin dhe jo vetëm në Kumanovë.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, Sasho Stoshevski, për Portalb.mk tha se aktualisht po rinovohen dy dhoma në repartin intern dhe dy në kirurgji, ndërsa së shpejti do të rinovohet tualeti në repartin laboratorik. Megjithatë, ai nuk tregoi datën e saktë për fillimin e punimeve, pavarësisht se më 1 nëntor kishte deklaruar se rikonstruksioni do të fillonte brenda 10 ditëve.
“Bëmë inspektim në ambientet e brendshme, po, është e nevojshme rinovim i thellë, të cilin planifikojmë ta fillojmë sa më shpejt. Aktualisht, ekipet tona punojnë në rinovimin e dy dhomave në repartin intern, dhe dy dhomave në kirurgji. Pas përfundimit të punimeve në repartet përkatëse, shpresoj që së shpejti të rinovojmë edhe tualetin në laboratori”, tha Stoshevski.
Kujtojmë se, më 30 tetor pas kontaktimit nga Portalb.mk, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor kreu inspektim të jashtëzakonshëm në repartin laboratorik të Spitalit të Kumanovës ku u konstatuan mangësi.
Që higjiena nuk është në nivel të dëshiruar e konfirmon edhe kontrolli paraprak nga Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, siç informuan nga atje, kontrolli i fundit inspektues në laboratorin që është pjesë e institucionit ishte kryer më datë 12.06.2025. Ku nga gjendja faktike e konstatuar u vërejt se nuk kishte sapun të lëngshëm, dhe gjatë kohës së inspektimit u vendosën sapun të lëngshëm.
Probleme të vazhdueshme në spital
Në dhjetor 2024 Portalb.mk raportoi se në repartin Laboratorik pacientët e Kumanovës detyroheshin të prisnin mbi tre orë për shkak të mungesës së infermierëve.
Ndërsa, në repartin e Oftalmologjisë nuk ka mjekë kujdestar dhe se mjekimet dhe kontrollet e tyre i bëjnë infermieret. Gjithashtu në korrik qytetarët u ankuan se nuk ka pajisje ekografike dhe detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private.
Kujtojmë se, më 13 korrik 2025, Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë ka paraqitur kërkesë për miratimin e 72 punonjësve të rinj, mes të cilëve do të jenë infermierë, mjekë dhe të tjerë. Nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se procedura është duke vijuar në bashkëpunim me institucionet përkatëse, por nuk kanë treguar ndonjë afat se kur do të përmbyllet ky proces.
Pavarësisht ankesave të pacientëve, Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës përballet çdo ditë me mungesë të kushteve higjienike dhe me probleme të tjera.