Reagoi Shqipëria dhe Kroacia pasi Serbia shpalli listën non-grata

Serbia shpalli non grata 14 anëtarë të shoqërisë civile, mes tyre edhe dy shqiptarë, raporton TopChannel. Në median kroate, ka reaguar Ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane i Kroacisë, z. Gordan Grlic Radman.

Ai ka paralajmëruar se Kroacia do të marrë disa masa kundër Serbisë.

“Ne do të lëshojmë një notë proteste, do të informojmë delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd për veprimet e autoriteteve serbe dhe sjelljen e tyre, të cilat poshtëruan qytetarët kroatë.

Ne do të mbledhim sistematikisht të gjitha rastet e ngacmimeve të qytetarëve kroatë dhe do të informojmë Komisionin Evropian dhe presidencën polake të BE-së për to, dhe, natyrisht, do të rishikojmë këshillat tona të udhëtimit për qytetarët kroatë që udhëtojnë në Serbi”, citohet te ketë deklaruar ministri kroat.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri sot njoftoi se është thirrën për bisedë Ambasadori i Republikës së Serbisë Slobodan Vukçeviq.

“Gjatë takimit, iu transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd. Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë”, deklaroi Ministria.

Ata kërkuan nga autoritetet serbe që të rishikojnë këtë vendim.