Reagime për ngrohjen qendrore në RMV: Gjithçka rritet, përveç pagave
Rritja e re e çmimit të ngrohjes qendrore në Shkup ka shkaktuar reagime në opinionin publik. Partitë opozitare LSDM dhe Levica e akuzuan Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po i jep një goditje të re standardit jetësor të qytetarëve. Ndërkohë, Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) pretendon se bëhet fjalë për një korrigjim minimal të çmimit të energjisë termike, ndërsa kritikët vlerësojnë se qytetarët po përballen me një valë të re shtrenjtimesh, transmeton Portalb.mk.
Nga Levica kujtojnë se në vitin 2022 Mickoski e kritikonte ashpër rritjen e atëhershme të çmimit të ngrohjes, duke e cilësuar atë si “plaçkitje të qytetarëve” dhe pasojë të keqmenaxhimit.
Sipas partisë, sot situata është ndryshe, pasi brenda tetë muajve janë bërë dy rritje të çmimit të ngrohjes: 5,9 përqind nga dhjetori i vitit 2025 dhe 5,96 përqind shtesë nga gushti i vitit 2026, që paraqet një shtrenjtim kumulativ prej rreth 12,2 përqind.
“Kur ishte në opozitë, shtrenjtimi ishte grabitje. Pasi u ul në kolltukun e kryeministrit, grabitja mori emër të ri: korrigjim minimal dhe çmimi më i ulët në rajon”, thuhet në reagimin e Levicës.
Partia kritikon edhe argumentin e KRRE-së se çmimet në Shkup mbeten më të ulëta se ato në Beograd, Lubjanë, Sofje dhe Sarajevë, duke vlerësuar se një krahasim i tillë nuk merr parasysh fuqinë blerëse të qytetarëve dhe nivelin e pagave.
Kryetari i KRRE-së, Aco Ristov, njoftoi se nga 1 gushti familjet që furnizohen përmes sistemeve të EMV-së do të paguajnë 5,96 përqind më shumë për energjinë termike.
Sipas llogaritjeve të Komisionit, fatura mesatare e ngrohjes do të rritet nga 2.353 në 2.493 denarë, ose rreth 140 denarë më shumë në muaj. Për përdoruesit e ish-“Toplana Shkup Veri”, e cila menaxhohet nga “Energy Ecolink”, çmimi do të jetë mesatarisht 3,6 përqind më i lartë, ndërsa për konsumatorët e “EMV Energetika” rritja do të jetë rreth pesë përqind.
Nga LSDM vlerësojnë se rritja e çmimit të ngrohjes është një tjetër goditje për standardin e qytetarëve.
“Edhe një goditje tjetër për standardin dhe xhepin e qytetarëve – po shtrenjtohet edhe ngrohja. Mickoski paralajmëronte ulje të çmimeve, por pas çdo paralajmërimi të tij diçka shtrenjtohet”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia thekson se gjatë periudhës së fundit janë shtrenjtuar karburantet, ushqimet, transporti dhe një numër i madh produktesh bazë. Sipas tyre, qytetarët po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet mujore, ndërsa shporta minimale e konsumit ka arritur pothuajse në 70.000 denarë.
Deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, në emisionin “Tema e Ditës” në Sitel, deklaroi se qytetarët çdo ditë po i ndjejnë pasojat e rritjes së çmimeve, ndërsa politikat ekonomike të Qeverisë nuk po japin rezultate.
“Ministri i Ekonomisë nuk po arrin në asnjë mënyrë të përballet me goditjet e çmimeve. Masat e tij kanë dështuar plotësisht. Çmimet vazhdojnë të rriten, po rritet çmimi i ngrohjes, po rriten karburantet, nuk janë paguar në mënyrë adekuate subvencionet për bujqit dhe nuk është dhënë ndihma për kategoritë e cenueshme që kanë më së shumti nevojë. Për herë të parë, disa spitale që kanë funksionuar për 40 vjet tani kanë llogari të bllokuara. Realiteti është se nuk po ecim në drejtimin e duhur”, theksoi Lukarevska.
Kryeministri Hristijan Mickoski hodhi poshtë akuzat e opozitës se shteti po përballet me rrezik të kolapsit financiar.
Duke folur në podkastin “Rishtazi”, ai deklaroi se Qeveria ka trashëguar borxhe dhe një sistem jofunksional, por se shteti nuk do të falimentojë.
“Kam një lajm të keq për opozitën. Thoshin se do të falimentonim në vitin 2024, 2025 dhe 2026. Nuk do të falimentojmë, pavarësisht se na lanë borxhe, projekte të papërfunduara dhe një sistem të rrënuar”, deklaroi Mickoski.
Ditët e fundit u publikua informacioni se shteti kishte marrë hua mjete nga M-NAV (Navigacioni i Maqedonisë), MEPSO, Lotaria Shtetërore, si dhe nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, për të shlyer kredinë ndaj bankës kineze për autostradat.
Kryeministri tha se mjetet e huazuara ndërmjet institucioneve shtetërore do të kthehen gjatë muajit gusht. Sipas tij, Qeveria aktuale po punon për stabilizimin e financave publike dhe realizimin e projekteve të nisura.