Rasti “KlanKosova”, Asociacioni i Gazetarëve nesër në protestë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se me mbështetjen e medieve dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik [e hënë], do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të “Klan Kosova” nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

AGK-ja ka bërë të ditur se protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, transmeton Koha.net.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ftuar kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”, thuhet në njoftimin e tyre.

Rasti i “KlanKosovës” ka nxitur reagime të mëdha që nga dje, pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë refuzoi ankesën e televizionit, dhe rrjedhimisht, ia pezulloi veprimtarinë. Televizioni ka paralajmëruar ankesë në shkallët më të larta të drejtësisë. Por vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit nxiti reagime. Përveç akterëve politikë vendorë, reaguan edhe shtetet e QUINT-it, që dënuan vendimin e MINT-it. Të shtunën, kryeministri Albin Kurti në Twitter shkroi se Zyra e tij mbështet plotësisht vendimet “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.