Raportuesi i PE-së i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në gjyqësorin e RMV-së, ndërkohë Mickoski paralajmëroi pjesëmarrje në protesta

Në lidhje me kërkesën e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ka reaguar raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, transmeton Portalb.mk.

“Kjo thirrje e Qeverisë është shenjë shqetësuese e ndërhyrjes politike në gjyqësor. Pavarësia e sistemit gjyqësor është çelësi për sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit, të cilat janë vlera themelore në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, deklaroi Vajc.

Ai ka vlerësuar se ka “presion të koalicionit qeveritar që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje ose të shkarkohen për shkak të përkatësisë së tyre politike”.

Pasdite ka reaguar përsëri kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke paralajmëruar se do të marrë pjesë në protestat e mundshme për shkarkimin e anëtarëve.

“Do të protestojmë dhe do t’u ndodhë populli, nëse gjykatësit e korruptuar nuk do të japin dorëheqje edhe pas mosbesimit, do të jem në radhët e para”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se populli do të dalë nëpër rrugë për të protestuar.

Ai vlerësoi se këto anëtarë janë duke mbajtur inati, pasi nuk japin dorëheqje, edhe pse kanë vetëm 2-3 përqind besim në popull.

Ndryshe, pavarësisht interpelancës ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe insistimit të pushtetit që të njëjtit të japin dorëheqje, një gjë e tillë nuk po ndodhë.

Sipas Nenit 31 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor anëtarit të këshillit i mbaron mandati me skadimin afatit kohor për të cilin është zgjedhur, me kërkesë të tij, nëse dënohet për vepër penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nëse vërtetohet pashkahtësi për të kryer funksionin… etj. Të gjitha këto, për përgjegjësi individuale dhe jo siç i atribuon kuvendi se “anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi kanë kontribuar në rrezikimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe reputacionit të gjyqësorit dhe gjykatësve dhe kanë kontribuar në rënien e besimit të qytetarëve në gjyqësor. Anëtarët kanë neglizhuar dhe nuk kanë arritur të kryejnë funksionin e tyre në punën e këshillit”, thuhet në Konkluzioni e Kuvendit.