Raporti i të dymbëdhjetëve: Si ndikon konkretisht në rastin e Maqedonisë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Së pari të bëjmë dallimin – çfarë është interpretimi i propozimeve të Raportit të grupit të ekspertëve franko-gjerman mbi reformat në Bashkimin Evropian, e çfarë është vlerësimi mbi atë që është e realizueshme, kur propozimet të hyjnë në “daullen e politikës”.

Këtu do të bëjmë një analizë se çfarë ndikimi kanë mbi Maqedoninë parimet konkrete të propozuara të zgjerimit që janë pjesë e Raportit.

Parimet për plotësimin e kushteve për aderim

  1. “Së pari themelet”, gjegjësisht të drejtat dhe sundimi i së drejtës janë parimi i parë – në përputhje me parimet e reformës për të gjithë BE-në. Ka ndikim të madh mbi të gjithë rrjedhën e procesit për të gjitha shtetet dhe rrjedhimisht edhe për Maqedoninë.
  2. Një shtet që nuk e respekton sundimin e së drejtës, jo vetëm që nuk mund të bëhet anëtar, por nuk mund të ketë as qasje në tregun unik, e as të shfrytëzojë fonde nga BE-ja. Domethënë, mosrespektimi i këtij parimi do të rezultojë me një izolim “të llojit të veçantë”.

Për fat të keq ne te ky parim jemi rrokullisur, posaçërisht me “flijimet” e fundit për ndryshimet kushtetuese, duke e shkelur në mënyrë flagrante sundimin e së drejtës.

  1. “Kushti gjeo-politik”: Harmonizimi i plotë me qëndrimet e BE-së mbi politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, që aktualisht janë pozitat mbi sanksionet ndaj Rusisë. Maqedonia e plotëson këtë kusht, por subjektet politike duhet të kenë parasysh se duhet të qëndrohet i palëkundur (madje edhe nëse vendimmarrja në lidhje me këtë çështje kalon në shumicë të kualifikuar).
  2. “Zgjidhja e konflikteve”: Raporti nuk e përdor terminologjinë e deritanishme “zgjidhja e kontesteve bilaterale”. Propozohet që shtetet që kanë “konflikt shumëvjeçar të armatosur” ose “konteste territoriale njëri shtet kandidat me tjetrin ose me ndonjë shtet të BE-së” të mos mund t’i bashkangjiten BE-së. Konflikte afatgjata ose konteste territoriale kanë të gjithë kandidatët aktual dhe potencial përveç Maqedonisë. Kontesti i imponuar nga ana e Bullgarisë nuk mund të vendoset nën asnjërin nga këto dy kushte skualifikuese nga ky Raport. Në mënyrë implicite kjo domethënë heqje e këtij kontesti jashtë procesit të aderimit, që sigurisht se është shumë e favorshme për Maqedoninë.
  3. Ndihma plotësuese teknike dhe financiare: Ky është më shumë një parim i cili para së gjithash, i referohet Unionit. Sidoqoftë, për Maqedoninë është i mirëseardhur, nëse e shfrytëzon në mënyrë të mençur ndihmën plotësuese.
  4. Legjitimiteti demokratik dhe pjesëmarrja: Propozohet dialog i rregullt ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Parlamenteve nacionale të shteteve anëtare dhe shteteve kandidate. Kjo ka ekzistuar edhe deri tani nëpërmjet komiteteve parlamentare për stabilizim dhe asocim dhe grupet për bashkëpunimin e parlamenteve, por ka mundësi edhe për mënyra të reja. Propozimi për pjesëmarrje të qytetarëve të shteteve kandidate në mekanizmat për pjesëmarrje në BE është i mirëseardhur. Gjithsesi, këtu më shumë do të jetë në pyetje kapaciteti jonë për dialog edhe përkundër përvojës shumëvjeçare, posaçërisht që supozim për pjesëmarrje në një dialog të tillë në nivel të BE-së është të jetë zhvilluar dialog i brendshëm mbi procesin, i cili tashmë nuk është.

Dymbëdhjetë ekspertët i propozojnë këto parime të procedurës për aderim:

  1. Barazia: në procedurat dhe kriteret për anëtarësim të gjithë kandidatëve. Gjithashtu do të jetë e favorshme për Maqedoninë, por nëse merret seriozisht me reformat. Sigurisht se është shumë e vështirë të besohet se mund të realizohet, duke pasur parasysh përvojën tonë negative të deritanishme.
  2. Sistematizimi: Duke pasur parasysh mundësinë aktuale për Metodologjinë e zhvillimit në integrim fazor në politika të veçanta, si dhe propozimet aktuale më të elaboruara për këtë integrim, Raporti angazohet për një metodologji më të strukturuar dhe të kushtëzuar për integrim sektorial. Edhepse nuk futet në propozimet e integrimit fazor, mirë është që dokumenti e dallon problemin e mosstrukturimit, që mund të sjellë deri te një proces konfuz. Strukturimi do të jetë i favorshëm për të gjithë kandidatët, përfshirë edhe Maqedoninë, edhe atë sepse do ta ulë presionin për kapacitete të menaxhimit me proceset paralele integruese, gjegjësisht procese që vendosen njëri mbi tjetrin.
  3. Reverzibiliteti: mundësia për kthim në fazë të mëparshme. Propozohet zgjerim sipas parimit (të përcaktuar me Metodologjinë e re të zgjerimit) jo vetëm formalisht në procesin e bisedimeve, por edhe në lidhje me integrimin parcial. Kjo nga ana tjetër, është në favor të sundimit të së drejtës.
  4. Shumica e kualifikuar: propozohet që të vendoset në të gjithë hapat e procesit të aderimit, përveç hapit përfundimtar – vetë anëtarësimit, për të cilin do të mbetet “unanimiteti” i dyfishtë – në Këshillin Evropian dhe me ratifikim nacional të marrëveshjes së aderimit. Shprehimisht shënohet se kjo është me qëllim që “Unioni të ketë kapacitet të hapë dhe të mbyllë kapituj, i mbrojtur nga interesa vetanake të veçanta nacionale” dhe se “fazat e reja do të miratohen me shumicë të kualifikuar që të evitohet mundësia që shtetet anëtare individualisht ta bllokojnë avancimin për arsye nacionale”. Ky është propozimi më i favorshëm për Maqedoninë. Në rastin tonë miratimi i tij do të mundësojë që procesi të fokusohet te reformat, me mundësi që gradualisht ta kthejë kredibilitetin e procesit dhe fuqinë transformuese të Unionit. Kjo nuk do ta zgjidhë kontestin me Bullgarinë, por potencialisht do ta largojë dominimin e tij në agjendën vendore dhe një pjesë të madhe të barrës së imponuar në procesin e aderimit, që nuk ka lidhje me acquis-in. Sigurisht, e gjithë kjo nëse ne drejtohemi në mënyrë të duhur dhe ndërtojmë kapacitete për mirëkuptim thelbësor dhe zbatim të duhur të acquis-it.

Arrijmë deri te pyetja: Çfarë pasojash mund të ketë kjo mbi Kornizën negociuese të famshme? Kornizat negociuese (jo vetëm për ne, por për të gjitha shtetet në proces) jo vetëm që do të mund, por do të duhet patjetër të ndryshohen, që të aplikohet shumica e kualifikuar për të gjithë hapat në procesin e aderimit përveç hapit të fundit. Tani te ato është paraparë unanimitet për hapat “e ndërkohshme” në negociata, siç është hapja e klasterëve dhe mbyllja e kapitujve.

Dhe së fundmi, pyetja e madhe: sa është kjo e mundur politikisht? Është e qartë se ekspertët e Raportit e kanë vendosur në tryezë që politikanët ta thonë të gjithë atë që është politikisht jokorrekte dhe jooportune. Gjithashtu është e qartë se ka shumë opcione dhe kombinime opcionesh, ndërsa zgjedhja e zgjidhjeve është vendim politik i shteteve anëtare.

Sidoqoftë, do të shihet shumë shpejt nëse ka vullnet politik në Union – me atë nëse do t’i pranojë Unioni ose të paktën nëse do të veprojë në bazë të hapave që i propozon Grupi deri në zgjedhje, edhe atë për më pak se një vit – deri në qershorin e ardhshëm. Ndër to është edhe propozimi që të reformohet procesi i aderimit nëpërmjet shumicës së kualifikuar, për çka nuk është i nevojshëm ndryshimi i marrëveshjeve të themelimit, por një legjislaturë sekondare. Këtu është edhe propozimi tashmë i Këshillit Evropian që në dhjetor të vitit 2023 BE-ja dhe shtetet kandidate të deklarojnë angazhim të përbashkët për përgatitjen e zgjerimit deri në vitin 2030.

E deri atëherë zgjidhjet e ofruara nga ekspertët meritojnë një analizë dhe debat objektiv te ne.