Raporti i revizionit: FIZHT ka 13.8 milionë euro detyrime ndaj furnizuesve, transparenca në pikëpyetje

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik është themeluar në dhjetor të vitit 2013, me qëllim nxitjen e inovacioneve, përmes sigurimit të burimeve shtesë për financimin e inovacione, për shkak të nevojës për të ndërtuar ekonomi konkurruese të bazuar në dijeni. Me zbatimin e revizionit të punës financiare dhe pajtueshmërisë së Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik për vitin 2024, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar dobësi dhe inkosekuencë që tregojnë nevojën për përmirësimin e menaxhimit financiar, forcimin e kontrolleve dhe respektimin e plotë të rregullativës ligjore. Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mosharmonizim në funksionimin dhe për shkak të rëndësisë së tyre është shprehur opinion i pavolitshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2024 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogaritë e buxhetit themelor dhe opinion me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2024 të llogarisë së buxhetit të aktiviteteve të vetëfinancua, transmeton Portalb.mk.

“Revizioni ka konstatuar dobësi në evidentimin e detyrimeve të FIZHT, ku disa detyrime nuk janë paraqitur në kohë dhe plotësisht në evidencën kontabël. Edhe pse më 31 dhjetor 2024, detyrimet ndaj furnizuesve në vend janë paraqitur në shumën prej 853.964 mijë denarë gjegjësisht 13.863.000 euro , me kontrollimin e kryer në dokumentacionet e bashkangjitura dhe nga zbatimi i procedurave analitike janë konstatuar detyrime shtesë të pa evidentuar për arsye të ndryshme, dhe këto janë: kontrata për punë, vlerësimi i projekteve, dhe shpërblimet për organet drejtuese, në shumën totale prej 9.369 mijë denarë gjegjësisht 152.094 euro. Është kryer regjistrimi vetëm i detyrimeve drejt përdoruesit të mbështetjes financiare për të cilët është miratuar raporti tremujor/ përfundimtar i monitorimit, dhe jo edhe totali i detyrimeve të evidentuar ndaj përdoruesit, për shkak që bilanci i detyrimeve afatshkurtra ndaj furnizuesve, i përcaktuar nga komisioni i regjistrimit dallohet nga bilanci i detyrimeve të evidentuara në evidentimin kontabël me gjendje të datës 31.12.2024, për 488.343 mijë denarë”, thuhet në raport.

Këto gjendje, së bashku me mungesën e praktikës për konfirmimin e bilancit me kreditorët, nuk janë në përputhje me Ligjin për kontabilitetin e buxheteve dhe përdoruesve të buxhetit dhe ndikojnë në vërtetësinë, objektivitetin dhe plotësinë e raporteve financiare, si dhe në saktësinë e planifikimit buxhetor për periudhën e ardhshëm. Me revizionin është konstatuar se Programi Vjetor i Punës i FIZHT për vitin 2024 , me përjashtim të masave dhe aktiviteteve nga Shtylla 1 – Mbështetje financiare për sektorin privat, nuk përmban tregues financiarë për të gjitha fondet dhe fondet për masat, instrumentet dhe aktivitetet e veçanta.

“Për shkak se projektet nga Shtylla 1 në pjesën më të madhe realizohet më gjatë se një vit, me Programin nuk është dhënë pasqyrë reale për nevojat e mjeteve financiare në vitin 2024 , as nuk është theksuar sa është pjesa nga mjetet janë të dedikuara për vitin aktual dhe sa për pagesën e detyrimeve të mbartura nga vitet e mëparshme . Për më tepër, Programi i miratuar i Punës afatmesëm për periudhën 2025–2027 nuk përmban dinamikën e thirrjeve, as projeksionin për pagesën e fondeve ndaj përdoruesve, as tregues financiarë për instrumentet dhe vitet, që ndikon në transparencën e punës dhe nuk mundëson vlerësimin nëse menaxhimi me mjetet buxhetore është në përputhje me parimet buxhetore të përcaktuara nga Ligji për Buxhetet”, thuhet në raport.

Për më tepër, FIZHT nuk ka vendosur bazë të centralizuar me të dhëna (softuer) për mbështetje financiare të dhënë, përmes së cilës do të ndiqet zbatimi i instrumenteve të ndryshëm për mbështetje financiare. Njëherë, nuk po merren as masa për një ndjekje sistematike dhe gjithëpërfshirëse të rezultateve të arritura nga projektet e mbështetura pas përfundimit të tyre, as nuk bëhet analizë e thelluar afariste dhe financiare.

“Në zbatimin e thirrjeve publike, është përcaktuar se disa nga punonjësit/ angazhuarit me kontratë pune dhe anëtarët e KD nuk e nënshkruajnë gjithmonë deklaratën për konflikt interesi, dhe drejtori i FIZHT nuk është deklaruar fare në bazë të konfliktit të interesit për thirrjet publike që ishin lëndë të revizionit. Në lidhje me regjistrin e personave të specializuar për vlerësimin e projekteve është përcaktuar se ai nuk po mbahet sipas mënyrës së përcaktuar me aktet nënligjore, me çka nuk janë ndërmarrë aktivitete për kategorizimin dhe vlerësimin e personave të specializuar të regjistruar në seksionet përkatëse, me qëllim që të zgjidhen sipas një sistemi rotacioni . Për thirrjet e zbatuara në vitin 2024, revizionit nuk iu sigurua informacion për mënyrën e zgjedhjes së personave të specializuar për vlerësimin e projekteve . Në kushte kur nuk është krijuar Regjistër adekuat, revizioni konstatoi se mënyra e zgjedhjes së personave të specializuar për vlerësimin e projekteve nuk po bëhet në përputhje me aktet nënligjore të parashikuara, me të cilën krijohet mundësia nga veprimet joobjektive gjatë zgjedhjes së personave të specializuara për vlerësimin e projekteve”, thuhet në raport.

Të plotë, raportin mund ta lexoni KËTU.

Kujtojmë se në revizionin e kryer në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar raste të vjetruara dhe fonde të papaguara në buxhetin e shtetit, sulme të IT-së dhe parregullsi të ndryshme.