Dëmtimi i arkitekturës evropiane të sigurisë

Ende më kujtohen raportet e mediave amerikane në vitin 1989, sidomos të CNN-it ku pala amerikane negociatat për “Traktatin e Forcave të Armatosura Konvencionale në Evropë “ (CFE),  i vlerësonte si një sukses amerikan kundër BRSS-së së atëhershme. Sot më shumë se tre dekada, Rusia ka finalizuar tërheqjen e saj nga ky traktat që zyrtarisht deri më 6 nëntor vendoste kufizime për kategoritë kryesore të armëve ushtarake në Evropë.

Në një deklaratë të ministrisë së Jashtme të Rusisë thuhet se “Moska u tërhoq zyrtarisht nga traktati CFE më 6 nëntor, dhe se marrëveshja tani është një “histori”. “Traktati CFE u rrumbullakua si dokument  në fund të Luftës së Ftohtë, kur bëheshin përpjekje të formohej një arkitekturë e re e sigurisë globale dhe evropiane bazuar në bashkëpunim ”, thuhet në deklaratën ruse. Traktati CFE, në mes palës amerikane dhe ish- sovjetike ka një zanafillë të hershme para se BRSS –ja të shpërbëhej. CFE-ja ndryshe quhet si “gur-themeli i sigurisë evropiane”.

I nënshkruar në mes SHBA-së dhe ish- BRSS-së më 19 nëntor të vitit 1990, traktati eliminoi epërsinë e jashtëzakonshme të Moskës në armët konvencionale në Evropë dhe më gjere. “Traktati vendos kufizime të barabarta në numrin e tankeve, mjeteve të blinduara luftarake, artilerisë së rëndë, avionëve dhe helikopterëve sulmues që NATO dhe Pakti i Varshavës mund të vendosnin  midis Oqeanit Atlantik dhe Maleve Ural”- thuhet në dokumentin e nënshkruar më 19 nëntor të vitit 1990. Bisedimet jozyrtare midis 16 shteteve të atëhershme të NATO-s dhe 7 shteteve të Traktatit të Varshavës, filluan në Vjenë më 17 shkurt të vitit 1987.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 1987-ës u nënshkrua “Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi” (INF), midis SHBA-së dhe ish- Bashkimit Sovjetik, duke lejuar inspektime të ndërsjella të armëve. Më vonë, gjatë pranverës së vitit 1988, presidenti i atëhershëm i SHBA-së Ronald Reagan dhe ish- presidenti rus Mikahil Gorbaçov kishin theksuar “rëndësinë e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë, duke kërkuar në mënyrë specifike shkëmbimin e të dhënave, verifikimin e të dhënave dhe më pas reduktimin e kokave bërthamore dhe arsenalit tjetër shkatërrues”.

Në janar të vitit 1989, NATO dhe ish- anëtarët e Paktit të Varshavës filluan të negocionin “Mandatin për Negocimin mbi Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë.” Mandati përcaktonte objektivat për traktatin CFE dhe vendosi parimet e negociatave. Negociatat formale për CFE-në filluan më 9 mars të viti 1989- të në Vjenë të Austrisë. Gjithashtu, pala sovjetike sipas dokumentit do të zvogëlonte forcat e armatosura. Mediat perëndimore në atë kohë raportonin se CFE solli barazi midis NATO-s dhe Paktit të Varshavës.

Megjithatë, lideri rus Mikahil Gorbaçov u kritikua ashpër nga linja radikale në ish- BRSS për arsye të humbjes së epërsisë sovjetike në kokat bërthamore ndaj SHBA-së dhe shteteve të NATO-s. Me shembjen e ish- BRSS-së mendohej se do të ndryshonin raportet në mes Rusisë dhe Perëndimit me “Masat e Besimit dhe të Ndërtimit të Sigurisë”, (CSBM). Megjithatë, dyshimi u rrit në mes shteteve të NATO-s dhe Rusisë, kur NATO filloi shtrirjen në lindje me ish- anëtarë të Paktit të Varshavës. Për Rusinë e pas vitit 2000, zgjerimi ishte një shkas më shumë që të mos zbatonte asgjë në masat e mirëbesimit.

Uashingtoni zyrtar para fillimi të pushtimit rus të Ukrainës kishte njoftuar se “SHBA do të vazhdojë të zbatojë CFE-në  “nëse Rusia rifillon zbatimin e detyrimeve që burojnë nga traktatit””. Por, një gjë e tillë vështirë se do të ndodh tani, kur dihet se lufta në Ukrainë vazhdon dhe Perëndimi po e ndihmon me të gjitha mjetet Kievin. Pikërisht, para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, SHBA dhe Rusia kishin shkëmbyer ide për kontrollin e armëve. Në dhjetor të vitit 2021, Rusia kërkoi që anëtarët e NATO-s të mos vendosin më forca në territoret e anëtarëve të NATO-s, pasi Moska e shihte këtë politikë të NATO-s si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë.

Mosmarrëveshjet u thelluan edhe më shumë në mes SHBA-së dhe Rusisë, pasi NATO ishte e vendosur që me armatimin e ri në lindje të rriste sigurinë e anëtarëve të NATO-s. Kur Rusia zyrtarisht njoftoi se është tërhequr nga CFE, SHBA dhe aleatët tjerë të NATO-s po ashtu njoftuan më 7 nëntor se “ do të pezullojnë zyrtarisht pjesëmarrjen e tyre në traktat që nga 7 dhjetori i 2023-ës”. Sipas analistëve, pezullimi i pjesëmarrjes në traktat, krijon  më shumë lakueshmëri për vendosjen e forcave në krahët verior, lindor dhe jugor të NATO-s.

Mirëpo, ekziston një rrezik potencial këtu që edhe Rusia të vendosë armë të tilla në shtetet jo anëtare të NATO-s, që kanë politikë kundër BE-së dhe kundër  NATO-s. Si shtete më rëndësi strategjike për Moskën vlerësohet se mund të jenë disa shtete nga Ballkani Perëndimor, si Serbia dhe pjesa serbe e Bosnjës nëse do të shkëputet nga Federata e Bosnjës. Për informim, traktati CFE hyri në fuqi më 9 nëntor të vitit 1992, dhe u nënshkrua në Paris më 19 nëntor të vitit 1990.

Tërheqja aktuale e SHBA-së, vendeve të NATO-s dhe Rusisë nga CFE do ta ashpërsojë gjithashtu garën për armë bashkëkohore në Evropë dhe në vatrat tjera ku shtetet garojnë për dominim. Erozioni i traktatit nuk do të sjellë asgjë të mirë për të gjitha shtetet. Harta politike e Evropës ka ndryshuar me anëtarësimin e ish –shteteve të bllokut komunist në NATO dhe BE. Procesi i zgjerimit me anëtarë të rinj në NATO, shtyri Moskën të sulmojë Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Ukrainën në 2014 dhe 2022.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.