Ramazani mes zhurmës së kohës moderne

Këtë vit, muaji i Ramazanit vjen në një moment kur bota ndihet thellësisht e trazuar. Luftërat vazhdojnë me kosto shkatërruese njerëzore. Vuajtja e civilëve filtrohet përmes llogarive gjeopolitike. E drejta ndërkombëtare zbatohet në mënyrë selektive. Gjuha e forcës shpesh tingëllon zhurmshëm se gjuha e njerëzimit.

Ramazani shpesh reduktohet në aktin fizik të agjërimit. Por kuptimi i tij më i thellë qëndron diku tjetër: në disiplinën e karakterit.

Jetojmë në një kohë kur agresioni po normalizohet. Popullata të tëra fajësohen kolektivisht. Vuajtja njerëzore justifikohet në emër të sigurisë, identitetit apo padrejtësive historike. Debati publik, edhe në rajonin tonë, është bërë më i ashpër, më pak i durueshëm, më çnjerëzor. Rrjetet sociale shpërblejnë zemërimin, jo reflektimin. Fuqia matet gjithnjë e më shpesh me aftësinë për të dominuar, jo me kapacitetin për të frenuar veten.

Përballë kësaj panorame, ky muaj thërret për një model tjetër force.

Ai thërret për kontroll, jo mbi të tjerët, por mbi vetveten.
Kontroll mbi zemërimin.
Kontroll mbi fjalën.
Kontroll mbi tundimin për të poshtëruar, dehumanizuar apo përjashtuar ata që mendojnë ndryshe.

Një nga mësimet më të thella etike të Ramazanit është solidariteti. Jo solidaritet selektiv, jo empati e kufizuar nga përkatësia etnike, fetare apo politike, por njohje e dinjitetit të përbashkët njerëzor. Në një kohë të drejtësisë selektive globale, ky parim bëhet kërkesë morale.

Ramazani këmbëngul edhe në pastrimin e qëllimit. Kjo nuk është një ide abstrakte shpirtërore. Do të thotë të vëmë në dyshim paragjykimet tona para se të gjykojmë të tjerët. Do të thotë të rezistojmë ndaj narrativave të thjeshtuara për konflikte komplekse globale dhe rajonale. Do të thotë të refuzojmë dehumanizimin edhe kur zemërimi duket i justifikuar.

Në shoqëri të shenjuara nga polarizimi, përfshirë edhe tonën, kjo disiplinë e brendshme ka pasoja publike. Fjalët mund të ndezin ose të qetësojnë. Udhëheqësit mund të shfrytëzojnë frikën ose të inkurajojnë përgjegjësinë. Qytetarët mund të përhapin urrejtje ose të këmbëngulin në drejtësi. Qëndrimi etik që nxit Ramazani, durimi, sinqeriteti, përgjegjësia, nuk është tërheqje nga realiteti. Është mënyrë për t’u përballur me të në mënyrë më të përgjegjshme.

Në një kohë kur rendi global duket i brishtë dhe besimi rajonal mbetet i ndjeshëm, vlerat që shoqërojnë Ramazanin: mëshira, drejtësia, vetëpërmbajtja, bujaria, nuk janë vetëm virtyte personale. Ato janë kushte për bashkëjetesë.

Ndoshta mesazhi më i fuqishëm i këtij muaji është ky: dinjiteti fillon nga mënyra se si i trajtojmë të tjerët kur kemi fuqinë të veprojmë ndryshe.

Nëse Ramazani na forcon aftësinë për të qenë parimorë në momente zemërimi, të matur në momente tensioni dhe të dhembshur përballë vuajtjes, atëherë domethënia e tij shkon përtej ritualit.

Sepse uria më e thellë nuk është për ushqim.
Është për gjetjen e kuptimin të jetës sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.