Rama u përcolli liderëve evropianë draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Anadolu.

Në një konferencë për mediat, Rama ka folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për çështje të tjera.

“Situata në veriun e Kosovës po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës. Deklaratat e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës për de-eskalimin e një situate ku dukshëm çdo ditë dhe çdo orë, e humbura e madhe është Kosova”, është shprehur Rama.

Kryeministri Rama tha se Serbia po bën atë që ka bërë edhe herë të tjera, ndërsa sipas tij Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë, “po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar”.

Rama u shpreh se beson se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara, në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë.

– Rama: I kam përcjellë një draft të asociacionit presidentit Macron dhe kancelarit Scholz

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman, një draft të asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kjo ditë kur palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst, e jo më të merren vesh se çfarë do të ketë teksti”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se drafti është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe sipas tij patjetër merr në konsideratë se “asociacionit është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës, duke adresuar të gjitha rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.

“Uroj dhe shpresoj që ky material do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut. Serbia e ka humbur Kosovën përfundimisht në vitin 1999 dhe Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës asnjë fije floku”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se në fund të majit shpërthyen tensione në veri të Kosovës, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët e rinj të komunave. Më pas, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën dhjetëra ushtarë ndërkombëtarë dhe protestues.