Rama takoi Orbanin në Hungari: Shqipëria duhej të ishte edhe tani pjesë e BE-së

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka realizuar vizitë zyrtare në Hungari ku ka takuar kryeministrin Viktor Orban, shkruan Portalb.mk.

Pas takimit dy kryeministrat mbajtën konferencë për shtyp.

Edi Rama tha se Viktor Orban ndoshta është me i lehti për t’i hedhur fajin për gjithçka që ndodh në botë, por për të ai është një nga personat më të këndshëm për të folur.

Rama falënderoi Oliver Varhelyin, komisionerin e BE-së i cili na ka shoqëruar për 5 vite dhe ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë nga ato arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

U nënshkruan dy marrëveshje mirëkuptimi, në fushën e bujqësisë dhe e dyta në fushën e administratës publike.

“Administrata publike është vërtetë shumë e rëndësishme për të gjithë ato vende që janë në procesin e anëtarësimit në BE dhe përvoja e Hungarisë për ne është shumë e rëndësishme”, tha Rama.

Ai theksoi se numri i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në shifra me euro që vijnë nga Hungaria është i pazakontë, pra bëhet fjalë për rreth 350 milionë euro.

“Dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen e thellë kryeministrit Orban për mbështetjen e tij të palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra. Si edhe dëshiroj ta falënderoj atë që gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.

Nga ana tjetër nikoqiri Viktor Orban tha se me Ramën kanë diskutuar të ardhmen e politikave europiane si dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Vendet e Ballkanit  Perëndimor kanë pritur 15 vite mesatarisht për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019 dhe unë në fakt kam folur për këtë gjë edhe kur isha në Strasburg sepse mendoj që kura më e mirë për të gjithë këtë situatë dhe e thashë këtë edhe në Strasburg është që Bashkimi Europian t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku t2 ne, në familjen europiane”, tha Orban.

Ai tha se Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani, “por fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme, ndoshta edhe këtë lloj qasje”.

Në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe Orban tha se Shqipëria është një vend jo vetëm miqësor, por edhe shumë i rëndësishëm për ata.

Hungaria aktualisht kryeson Bashkimin Evropian dhe Orban është gjithashtu president i Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit.

Viktor Orban vazhdimisht merr kritika nga liderët e Perëndimit për afrimitetin me Rusinë dhe Kinën.

Muajin e kaluar Orban ishte për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Më 25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së dhe ndahet nga Maqedonia e Veriut, kurse kjo e fundit mbetet në vend derisa t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.