Rama për “Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi”: I përgjigjet ligjeve të Shqipërisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur përsëri mbi idenë për “Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi”, duke theksuar se në të gjitha aspektet i përgjigjet ligjeve të Shqipërisë, sipas tij, përsa i përket organizimit të përgjithshëm shtetëror, transmeton Agjencia Anadollu.
Në komunikimin e tij në rrjetet sociale, rreth pyetjeve të adresuara në platformat e mediave sociale, Rama ka folur për çështjen në fjalë dhe çështje të tjera.
Duke iu përgjigjur pyetjes dhe pretendimit se “copëton shtetin shqiptar” krijimi i “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi”, Rama tha se “Kjo nuk bën vaki”.
“Shteti italian i copëtuar të duket që ka jo një, po ka nja dy struktura brenda për brenda vetes, të cilat kanë një sovranitet të caktuar aty, funksionojnë brenda për brenda, ndërkohë që në rastin tonë këtu nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një shtet në atë sens që e kuptoni gabimisht ju dhe të sugjeroja ta ndiqje fjalën time që kam mbajtur në 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore këtu në Shqipëri, ku e sqaroj besoj se i duhet dhënë një status i veçantë atij komuniteti”, është shprehur Rama.
Rama ka shtuar më tej se “nuk bëhet fjalë për gjëra të kësaj natyre, po bëhet fjalë për një entitet i cili nuk ka polici, nuk ka dogana, nuk ka taksa, pra në të gjitha aspektet i përgjigjet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë përsa i përket organizimit të përgjithshëm shtetëror”.
Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar, Kryeministri Rama deklaroi për një media të huaj se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për një entitet në Tiranë, që do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”.
Rama ka folur edhe për çështje të tjera, si për sistemin e drejtësisë, regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sistemin shëndetësor dhe çështje të tjera.