Rama konfirmoi anulimin e mbledhjes së qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka konfirmuar se është anuluar mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës e Shqipërisë e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, shkruan Koha.net.

Rama ka thënë se duke marrë parasysh rrethanat e tensionuara kishte propozuar një takim më të reduktuar, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.

“E kam informuar Kurtin se duke marrë parasysh kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlanatike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuara. Dhe pasi kam folur me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Kurtit për t’u takuar nesër në Gjakovë me ministrat e Jashtëm dhe Mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, për ta afruar Kosovën me bashkësinë euroatlantike, ku marrëdhëniet e tyre janë në një pikë të paimagjinueshme, ku këta të fundit po konsiderojnë sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë. Nuk kemi pasur dakordim me Kurtin për ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, e të diskutojmë veçmas për këtë. Por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga Kurti. Unë shpresoj që mund të takohemi për të ballafaquar opinionet, në kushtet kur jemi në prag të planit për sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka shumë frikë “se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, në rast se kryeministri i Kosovës nuk lëshon pe.

“Kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, tha Rama.

Rama ka thënë se kjo çfarë po ndodh nuk është veç hall i Kosovës, por edhe i shqiptarëve. Ndërsa ka përsëritur se ka qëndrim të njëjtë me aleatët ndërkombëtarë.

“Nuk është fjala, që të jemi shumë të saktë, për të zotin e hallit sepse halli është i Kosovës, por është edhe i shqiptarëve, i kombit shqiptar që rrezikon të dalë në një dritë jo të mirë në sytë e atyre që e kanë bërë këtë komb. Halli nuk është veç i kryeministrit, halli është i qytetarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Shqipëria nuk operon e izoluar. Dhe marrëdhënia me Kosovën është marrëdhënie vëllazërie, por Shqipëria është një shtet që është pjesë e pandashme bashkësisë euroatlantike, është vend anëtar i NATO-s. Ne mendojmë 100 për qind njësoj siç mendojnë aleatët tanë”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova po bën një lëvizje absolutisht të gabuar strategjike.

“Nuk e kuptoj, e se kupton askush, pikën strategjike këtu. Cili është interesi strategjik i Kosovës në këtë proces, ku Kosova po hyn në një kurs përplasjeje dramatike me bashkësinë euroatlantike. Kështu që, arsyeja pse unë bëjë gjithë këto përpjekje është Kosova, nuk është aspak ndonjë arsye tjetër. Është Kosova”, tha Rama.

Rama ka thënë se është i tmerruar nga sanksionet që mund të ndodhin.

“Nuk është çështja se janë masa nga të cilat kjo bashkësi merr ndaj vendeve jodashamirëse le të themi ndaj saj. Kjo bashkësi po detyrohet të marrë ndaj një shteti që ka krijuar vetë. Do të thotë edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme, uroj të mos vihen, por mesa duket edhe kjo përpjekje e fundit po shkon drejt të njëjtit fund si të gjitha përpjekjet të bëra deri tash nga gjithë tjerët. Edhe sikur këto masa të jenë të përkohshme efekti destabilizues në marrëdhëniet mes bashkësisë euroatlantike e Kosovës s’do të jetë aq i përkohshëm. Besimi e mbështetja nuk do të jenë më ashtu siç ka qenë deri tash. Do të jenë shumë më të kursyera e kushtëzuara hap pas hapi. Jo thjeshtë ndaj Kurtit e qeverisë së tij, por ndaj qeverive që vinë edhe më pas. Kështu funksionon historia e marrëdhënieve me fuqitë e mëdha”, ka thënë Rama.