Radev: Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta përshpejtojë ndjeshëm rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, tha presidenti bullgar Rumen Radev në një takim me përfaqësues të shoqatave bullgare nga vendi, raporton agjencia e atjeshme shtetëror BTA.
“Shpresoj që fqinji ynë jugperëndimor ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të hapë derën e negociatave për anëtarësim të plotë”, tha ai në një takim me përfaqësues të organizatave bullgare nga Manastiri, Ohri, Shkupi, Prilepi, Kavadari dhe Koçani.
Siç raportohet nga zyra e tij, presidenti bullgar theksoi gjithashtu se detyra e çdo shteti demokratik është të mbrojë në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij dhe të garantojë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
“Ne të gjithë shpresojmë që integrimi i RMV-së të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk mund të jetë në kurriz të të drejtave të komunitetit bullgar në vend”, tha Radev, duke shtuar se shpreson që autoritetet në Maqedoninë e Veriut do ta zbatojnë marrëveshjen e vitit 2022.
Sipas tij, ishin bullgarët nga Maqedonia e Veriut ata që ngritën të parët çështjen e garantimit efektiv të të drejtave të tyre në vendin e tyre, dhe se sot kjo është një kauzë e përbashkët jo vetëm e të gjitha institucioneve bullgare, por edhe e BE-së.
Megjithatë, përfaqësuesit e organizatave bullgare nga vendi në takimin me Radevin shprehën shpresën se RMV nuk do ta përdorë komunitetin bullgar si alibi për moszbatimin e reformave të nevojshme që e çojnë vendin drejt BE-së.
Siç raportoi BTA, ata gjithashtu u shprehën me vendosmëri kundër idesë së ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar ose kushte të tjera, duke theksuar se bëhet fjalë për garantimin e të drejtave themelore të njeriut, dhe se si qytetarë besnikë të vendit të tyre presin që institucionet t’u ofrojnë atyre të drejta të barabarta dhe mbrojtje efektive nga diskriminimi.
Përndryshe, deputetët bullgarë nga Komiteti i Politikës së Jashtme miratuan sot një deklaratë që dënon aktin e dhunës së urrejtjes kundër ish-gazetarit Vladimir Perev.
Dokumenti thekson mbështetjen e pakursyer për të gjithë qytetarët e RMV-së me vetëdije bullgare, të cilët po mbrojnë me drejtësi të drejtat e tyre.
“Autoriteteve në vendin fqinj u kërkohet të ndërpresin çdo veprim dhe deklaratë që justifikon dhunën, dhe shprehet mospajtim me mohimin publik dhe nënçmimin e ekzistencës së një problemi serioz me të drejtat dhe sigurinë e bullgarëve atje”, thuhet në dokument.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Zhelazkov: Bullgaria mbetet në kushtin e ndryshimeve kushtetuese për përparimin e Shkupit drejt BE-së
- LEXO: Protokoll i ri me Bullgarinë: Rrugëdalje e mundshme për në BE, me pak shanse
- LEXO: Ambasadorja holandeze: Të mos humbasim kohë, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe reformat duhet të zbatohen
- LEXO: Thomas Waitz: Bullgaria po zhvillon një narrativë nacionaliste, por edhe Mickoski po investon në diçka të ngjashme