Qyteti i Shkupit që nga janari nuk ka shlyer borxhet ndaj vozitësve privatë

Rrëmuja me autobusët e reduktuar të linjave private vazhdon. Për të gjetur një vend në autobus qoftë edhe në këmbë thuajse është e pa mundur, raporton Alsat. Qytetarët ankohen se u pamundësohet të kryejnë obligimet ditore për të shkak vonesave të autobusëve privatë dhe pritjeve të gjata në temperaturat e larta.

“Po nuk ka gjatë gjithë ditës, as me numër nëntë e as linja tjera, unë jetoj në Përzhinë dhe atje nuk ka aspak linje me numër gjashtëmbëdhjetë, pra duhet patjetër që qeveria të filloj të reagoj qe të jemi ne qytetaret të kënaqur dhe të mund të arrijmë në kohë në vendet e punës”, u shpreh një qytetare.

Qytetarët tjerë reagojnë që problemi i njëjtë është edhe me numrat 17-të, 19-të, 20-të dhe numrat tjerë, ndërsa pritjet arrijnë deri një orë, kurse autobusët janë të stërmbushur.

Sipas informatave reduktimi i linjave private është deri në 40 %. Pronarët e autobusëve janë detyruar të ndërpresin shërbimet për shkak të pamundësisë për të blerë karburante.  Sipas pronareve të autobusëve private, Qyteti i Shkupit që nga janari i këtij viti nuk ka shlyer borxhet ndaj vozitësve privatë. Ndërsa ankohen gjithashtu se vazhdimisht u behët presion nga qyteti i Shkupit që mos të flasin para mediave për këtë çështje.

Qyteti i Shkupit akoma nuk përgjigjet pse nuk i shlyen borxhet ndaj tri kompanive private, borxh që ka arritur rreth dy milionë euro.

Ndryshe, qytetarët e Shkupit edhe muajt e kaluar kanë pasur disa herë probleme me transportin publik në Shkup.

Për këtë, autobusët stërmbushen dhe qarkullimi me to përveç që nuk është komod, është dhe i rrezikshëm për shpërndarjen e viruseve.