Qytetarët në rrethinën e Kumanovës ende në rrezik nga trenat, assesi të rregullohen rampat dhe sinjalizimet

Sinjalizimi në kalimin hekurudhor në Llopat dhe Vaksincë të Kumanovës vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur. Pavarësisht ankesave të banorëve, institucionet vazhdodjnë të mos ofrojë zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët çdo ditë përballen me frikë gjatë kalimit në këto kalime hekurudhore. Banorët ankohen për mungesën e sinjalistikës dhe thonë se çdo ditë rrezikohet jeta e tyre.

Një banor tha për Portalb.mk, se ai kalon më shumë se një herë brenda ditës dhe çdo herë që kalon është i ekspozuar ndaj rrezikut. Ai tha se problemi me mungesën e sinjalistikës i shqetëson vazhdimisht banorët.

“Çdo shofer duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe të kontrollojë vetë para se të kalojë. Kjo rrugë përdoret çdo ditë nga shumë banorë dhe kërkojmë nga institucionet që të ndërhyjnë sa më shpejt, sepse nuk duhet të presim të ndodhë ndonjë aksident për të reaguar”, tha ai.

Një shofer tjetër i cili kalon çdo ditë atypari tha se çdo herë ndihet i pasigurt dhe tregoj për rrezikun që përballen banorët e zonës çdo ditë.

“Këtu disa herë kanë ndodhur fatkeqësitë, që të mos përsëriten këto fatkeqësi, kishte qenë e udhës autoritetet shtetërore sa më shpejtë të reagojnë. Kjo është pika kryesore që lidhë Komunën e Likovës me të Kumanovës, dhe qarkullimi i veturave është i lartë. Prandaj siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet. Ne duam vetëm që sinjalistika të rregullohet dhe kalimi hekurudhor të jetë i sigurt për të gjithë qytetarët që e përdorin çdo ditë”, u shpreh ai.

Nga Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut, për Portalb.mk, thonë se janë të vetëdijshëm për shqetësimin e banorëve të Llopatit për shkak të mosfunksionimit të sinjalizimit në kalimin rrugor hekurudhor, si dhe për rreziqet e sigurisë që dalin nga kjo gjendje.

Sa i përket kalimit hekurudhor në fshatin Llopat, nga Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut, thanë se pritet që ai të vihet në përdorim pas tejkalimit të çështjeve administrative, përkatësisht pas marrjes së lejes së përdorimit nga institucionet kompetente për aktivizimin e sinjalizimit në këtë kalim.

“Megjithatë, ju sigurojmë se nga ana ynë çdo ditë ndërmerren masa për sigurinë në trafikun hekurudhor. Siç kemi theksuar edhe shumë herë më parë, edhe një herë rikujtojmë se sipas rregullave të trafikut, nëse nuk funksionon sinjalizimi në kalimin hekurudhor, shpejtësia e trenit zvogëlohet, treni ndalon para kalimit dhe me sinjal zanor paralajmëron kalimin e tij nëpër kalim, ndërsa të gjitha automjetet (automobila, autobusë, makineri ndërtimore ose bujqësore) kanë obligim të ndalojnë. Prandaj, u bëjmë apel banorëve që të jenë të durueshëm dhe natyrisht, më të kujdesshëm gjatë kalimit nëpër kalimet hekurudhore”, thanë nga Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut. 

Ndërsa në kalimin hekurudhor në fshatin Vaksincë, kalimi hekurudhor përballet me probleme të tjera. Sipas tyre, në këtë pikë punonjësit përballen me vjedhje të vazhdueshme të baterive dhe kabllove që kanë për detyrë të dërgojnë sinjal për kalimin e trenit. 

“Kalimi hekurudhor në Vaksincë është jashtë funksionit për shkak të vjedhjeve të njëpasnjëshme të pajisjeve dhe kabllove, gjë që ekipet tona përballen me pamundësinë që në vazhdimësi të përballojnë këtë lloj dëmtimi të infrastrukturës sonë nga ana e qytetarëve të papërgjegjshëm”, deklaruan nga NP Hekurudhat. 

Banorët e kësaj zone për vite me radhë jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku nuk ka rampë apo ajo nuk funksionon. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet ende nuk kanë gjetur zgjidhje.