Mbërritën qytetarët e RMV-së të evakuuar nga Izraeli

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut të evakuuar nga Izraeli kanë mbërritur sot pak pas orës 15:00 me transport ajror falas në Aeroportin Ndërkombëtar “Shkupi”, transmeton Portalb.mk.

Transporti me fluturim çarter, në linjën Tel Aviv – Shkup, është organizuar sipas vendimit të Qeverisë me qëllim të evakuimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që kanë dashur të largohen nga Izraeli dhe kanë kërkuar të kthehen në Maqedoninë e Veriut. 

Siç njoftoi dje Qeveria, në kushtet e anulimit të plotë të fluturimeve dhe bllokimit të transportit ajror me Izraelin, sfida e organizimit të këtij fluturimi çarter është tejkaluar përmes bashkëpunimit me “Air Serbia”, ndërsa shpenzimet e fluturimit do të mbulohen nga Buxheti.

Në drejtim të organizimit efikas të transportit ajror, Ministria e Punëve të Jashtme përmes Përfaqësisë Diplomatiko-Konsullore – Tel Aviv, ka ofruar listë dhe informacione për shtetasit e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Izrael dhe të cilët kanë kërkuar ndihmë për t’u kthyer në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ambasada në Tel Aviv ka qenë në kontakt me qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga fillimi i krizës dhe disa nga qytetarët që ndodheshin në Izrael tashmë janë kthyer në vend, ndër të tjera, me fluturime speciale të vendeve mike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në zonën e luftës është edhe një çift i martuar për të cilët Ministria e Punëve të Jashtme është në kërkim të rrugës për t’i kthyer në Maqedoninë e Veriut. Osmani nuk ka informacione se tre shtetas maqedonas kanë humbur jetën në sulmet e Hamasit në Rripin e Gazës. Ai shtoi se ka pasur edhe raste të shtetasve të kontaktuar që kanë refuzuar të largohen, por pa treguar numrin e tyre.