60 shtetas të RMV-së janë kthyer nga Izraeli, 90 presin të mbërrijnë nesër, një çift ka mbetur në Rripin e Gazës

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), në Izrael janë nga 100 deri në 200 shtetas të Maqedonisë, nga të cilët 150 janë të regjistruar. Prej tyre, 60 tashmë janë kthyer ose janë rrugës për në Maqedoni, informoi sot ministri Bujar Osamni në takimin me gazetarët, ndërsa 90 të tjerët, tha ai, janë në një zonë të sigurt në Tel Aviv dhe duhet të mbërrijnë në shtëpi nesër. Në zonën e luftës është edhe një çift i martuar për të cilët Ministria e Punëve të Jashtme është në kërkim të rrugës për t’i kthyer në Maqedoni. Osmani nuk ka informacione se tre shtetas maqedonas kanë humbur jetën në sulmet e Hamasit në Rripin e Gazës. Ai shtoi se ka pasur edhe raste të shtetasve të kontaktuar që kanë refuzuar të largohen, por pa treguar numrin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Ambasada në Kajro të Egjiptit, theksoi Osmani, është në komunikim me një çift brenda Rripit të Gazës, të izoluar nga Izraeli, pasi nuk arritën të dilnin para se të mbyllej e vetmja pikë kufitare me Egjiptin.

“Ata janë të sigurt për momentin. Situata atje është shumë e ndryshueshme dhe mund t’i konsiderojmë të jenë në një lloj rreziku. Ne po punojmë gjithashtu me autoritetet në Egjipt për t’i liruar ata dhe më pas do të organizojmë transportin nga Egjipti. Mirëpo, tani për tani nuk kemi se si t’i nxjerrim nga Gaza”, tha Osmani.

Disa nga qytetarët që u gjetën në zonat e rrezikuara në rajonin e Gazës, mbërritën mbrëmë në Athinë me avion dhe tashmë janë nisur për në shtëpi. Në Athinë, Osmani theksoi se ata janë pritur nga ambasada e Maqedonisë, prej nga me autobus janë transferuar në kufi, prej nga MPJ i ka marrë me vetura dhe i ka dërguar në shtëpitë e tyre.

“Kështu janë kthyer mbrëmë pesë persona dhe sot në mëngjes edhe 17 të tjerë nga ata njëzet që ndodheshin në zonat e kërcënuara tashmë kanë mbërritur në Athinë dhe aktualisht janë rrugës për në Selanik dhe Ministria e Punëve të Jashtme organizon transportin dhe i pret në kufi dhe organizon transport për në shtëpitë e tyre”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, fillimisht fokusi ishte identifikimi, kontaktimi dhe nxjerrja e qytetarëve nga zonat e rrezikuara, e më pas transportimi i tyre në Tel Aviv, ku funksiononte aeroporti. Osmani ka treguar se disa nga qytetarët janë kthyer përmes Jordanisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ai shtoi se ka pasur edhe raste të shtetasve të kontaktuar që kanë refuzuar të largohen, por pa treguar numrin e tyre.

Shefi i diplomacisë njoftoi se po bëhen përpjekje nga Qeveria që të organizohet një fluturim që do të kthente nga Izraeli edhe qytetarët e mbetur, për të cilin njoftoi sot pasdite.

I pyetur për koment mbi informacionet e komunitetit hebre në vend, për vdekjen e pretenduar të tre shtetasve nga Maqedonia në Izrael, Osmani tha se nuk ka informacion të tillë.

Osmani dënoi, siç tha ai, sulmet brutale ndaj civilëve në Izrael.