Qindra mësimdhënës në Çair janë lënë pa paga, alarmoi BDI

Sot data shënon 16 janar, dhe qindra mësimdhënës në Çair janë lënë pa paga. Jo sepse nuk kanë punuar në muajin dhjetor, Jo sepse nuk ka para të mjaftueshme në arkën shtetërore, por sepse Komuna e Çairit ka dështuar të kryejë detyrën më elementare dhe më të rëndësishme të saj. Kështu ka reaguar sot Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

Reshat Ameti tha se sipas ankesave që kanë pranuar nga mësimdhënësit, kërkesa për pagesën e pagave të muajit dhjetor është dërguar vetëm më 12 janar, ndërkohë që kjo duhet të ishte bërë në ditët e para të muajit.

“Si pasojë e kësaj neglizhence, ka kaluar edhe afati ligjor për kryerjen e pagesave, që është më së voni 15 janar, dhe sot mësimdhënësit po përballen me realitetin e hidhur:
Familjet që presin rrogën e tyre, borxhet që nuk mund të paguhen dhe faturat që nuk presin”, tha Ameti.

Ata theksojnë se janari është muaji më i vështirë për çdo familje, me fatura më të larta, borxhe të mbartura, shpenzime përshkak të festave, pushim dimëror dhe fëmijë që duhet të kthehen në shkollë pas ca ditësh.

“Prandaj, kërkojmë: Përgjegjësi të menjëhershme nga udhëheqja e Komunës së Çairit. Sqarim publik për vonesën dhe përgjegjësitë që nuk mund të fshihen pas heshtjes. , tha Ameti.

Nga aty kërkuan pagesën e menjëhershme të pagave dhe garanci që një abuzim i këtillë nuk do të ndodhë më.