Qeveria e RMV-së po shqyrton kërkesën e opozitës për seancë të Kuvendit rreth eurointegrimeve

Qeveria tani nuk ka përgjigje të qartë rreth kërkesës së opozitës për thirrjen e një seance parlamentare me dyer të mbyllura ku do të shqyrtohen çështjet rreth eurointegrimeve dhe çfarë qëllimi ka shumica rreth zhbllokimit të procesit, raporton Zëri i Amerikës, përcjell Portalb.mk.

Nisma e LSDM-së, e paralajmëruar nga lideri Venko Filipçe, vjen pas vendimit të BE-së për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga rruga e përbashkët eurointegruese, ashtu që Tirana të vazhdon, ndërsa Shkupit të ngel për shkak mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese.

Kryeministri Mickoski vlerësoi që koalicioni qeveritar është stabil, me dy të tretat e shumicës në Kuvend, duke shtuar që ky koalicion funksionon shumë mirë.

Ndryshe, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të BE-së (Coreper) në fund të muajit shtator mori një vendim për fillimin e negociatave vetëm me Shqipërinë më 15 tetor, duke kaluar kështu në fazën tjetër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE dhe ndahet në rrugën evropiane nga Maqedonia e Veriut. Megjithatë, edhe përkundër këtij vendimi, Brukseli shpreson që pushteti i ri në Shkup do të mbetet i fokusuar në rrugën evropiane.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues. Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.