Qeveria e RMV-së paralajmëroi kontrolle të jashtëzakonshme për kompanitë që merren me prodhimin e kanabisit
Në seancën e 149-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndër të tjera vendosi që në vazhdim të marrë veprime që do të rritin kontrollet e jashtëzakonshme në sektorin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria i ngarkoi institucionet, në kuadër të kompetencave të tyre, që t’i ndërmarrin të gjitha masat dhe aktivitetet e përcaktuara me ligj dhe të kryejnë KONTROLLE të jashtëzakonshme ndaj të gjithë personave juridikë që kanë leje për kultivimin dhe prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe brenda afatit prej 45 ditësh të dorëzojnë raport në Qeveri”, raportoi Qeveria.
Qeveria këtë vendim e mori si masë për parandalimin e prodhimit të paligjshëm industrial të kanabisit mjekësor dhe lëshimin në tregun e paligjshëm vendas e ndërkombëtar.
Ndryshe, së fundmi u zhvillua aksioni i madh i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) dhe Ministrisë së Brendshme (MPB) për sekuestrimin e mbi 40 ton marihuanë nga disa persona juridikë në vend. Aksioni filloi pas sekuestrimit të 5 ton marihuanë në Serbinë fqinje, të cilën mediat lokale raportuan se kishte origjinë nga Maqedonia.
Ministria e Brendshme më 7 shkurt, informoi se është duke u zhvilluar një aksion në shkallë të gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marihuane. Rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe vaj kanabisi të prodhuar (gjysmëprodukt) u gjetën dhe u sekuestruan nga një person juridik në Shkup. Mbi 31 ton marihuanë dhe biomasë u sekuestruan nga persona juridikë në rajonin lindor.