Qeveria e RMV-së emëroi ushtrues detyre drejtorë në disa institucione shtetërore

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dje në seancën e gjashtë ka marrë disa vendime lidhur me shkarkimin e të mëparshmeve dhe caktimin e zgjidhjeve të reja kadrore, transmeton Portalb.mk.

  • Faisal Beadini, u.d. drejtor i Byrosë së Vlerësimit, organ në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
  • Sedad Rushani u.d. drejtor i Byrosë së Metrologjisë, organ në kuadër të Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
  • Shaban Allajbegu ushtrues detyre drejtor i Inspektoriatit Shtetëror Arsimor.
  • Haqim Ramadani u.d. drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Vetëqeverisjen Lokale.
  • Zuhair Rexhepi ushtrues detyre drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit dhe Urbanizmit.
  • Mesud Jakupi, u.d. drejtor i Agjencisë për Rezerva Mallrash.
  • Xheladin Xheladini u.d. drejtor i Institucionit Korrektues të Burgut Tetovë.
  • Selatin Beluli, ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut Shkup.
  • Vesna Peshova ushtruese detyre zëvendësdrejtor i Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut Shkup.
  • Eljesa Nezir u.d. drejtor i Entit Shtetëror për Pronësi Industriale.
  • Granit Osmani  ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për aplikimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Njëkohësisht në seancën e Qeverisë është marrë vendim që të anulohet konkluzioni i Qeverisë paraprake teknike, “i cili shkakton implikime fiskale për realizimin e Projektit për ndërtimin e autostradës Korridori 8, Seksioni 2: Gostivar- Bukojçanit prej 252.699.474 euro shtesë, të cilat nuk janë të planifikuara dhe të parapara me Buxhetin dhe as ekonomikisht të qëndrueshme”.

“Ky konkluzion u miratua më 13 qershor të këtij viti, më shumë se një muaj pas zgjedhjeve dhe disa ditë para miratimit të Vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe mospërfitueshmërisë ekonomike nga zbatimi i tij. Për të njëjtin konkluzion është bërë e ditur se do të njoftohet edhe Prokuroria Themelore Publike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) raporton se po ndjekë nga afër procesin e emërimit të ushtruesve të detyrës së drejtorëve në disa institucione shtetërore. Komisioni do të shqyrtojë secilin rast individualisht për të përcaktuar nëse emërimet janë në përputhje me rregulloret ligjore dhe nëse ato janë të parapara dhe të lejuara.