Kërçova për vitin 2024 për qentë endacakë ka në dispozicion mbi 300 mijë euro, por nuk ka afate konkrete për aktivitetet

Për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në territorin e Kërçovës, komuna në dispozicion ka rreth 325 mijë euro, mirëpo komuna përpos të një programi pa afate nuk ka ndonjë zgjidhje afatgjatë për problemin e qenve endacakë. Ndërkaq, numri i personave të kafshuar nga qentë endacakë në muajin janar është 20, shkruan, Portalb.mk.

Në ueb faqen e Komunës së Kërçovës çdo  vit vendos një dokument me emrin “Plan dhe Program për zgjidhjen e problemit me kafshët e pa strehë në territorin e Komunës së Kërçovë” në të cilin nuk ka data dhe afate konkrete për masat që janë përshkruar se ndërmerren për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Në të përshkruhet dhe procesi i kapjes së qenve, sterilizimi i tyre, vaksinimi, regjistrimi i tyre dhe pastaj lëshimi i tyre në territorin ku jetojnë.

Mirëpo edhe pse në titullin e këtij plani shkruhet se plani dhe programi është përgatitur për vitin 2024 brenda në dokumentin në gjuhën maqedonase shkruan viti 2013 dhe nuk përmban data të sakta për aktivitetet që Komuna pretendon se do t’i ndërmerr.

Prinstcree nga Dokumenti "Plan dhe Program për zgjidhjen e problemit me kafshët e pa strehë në territorin e Komunës së Kërçovës"
Prinstcree nga Dokumenti “Plan dhe Program për zgjidhjen e problemit me kafshët e pa strehë në territorin e Komunës së Kërçovës”

Në këtë dokument aktivitetet që Komuna e Kërçovës i ndërmerr për zgjidhjen e problemit të qenve endacak është trajtimi i qenve endacak, gjegjësisht kastrimi dhe vaksinimi i tyre nga veterinarë që komunës i kushton 1.200.000 denarë ose rreth 20 mijë euro në vit.

Tjetër aktivitet i Komunës së Kërçovës që përshkruhet në program është rritja e ndërgjegjësimit të popullsisë nëpërmjet të një fushate edukative për të cilën komuna ka ndarë mjete prej 300 mijë denarësh apo rreth 5 mijë euro.

Në program aspektet kryesore të kësaj fushate janë  që pronarët t’i sterilizojnë, vaksinojnë dhe regjistrojnë qentë e tyre, të inkuadrohet koncepti i pronësisë dhe përgjegjësisë së pronarëve që mos i braktisin kafshët shtëpiake, të inkurajohen njerëzit që të denoncojnë çdo keqtrajtim, keqpërdorim dhe vrasje të kafshëve deri tek organet kompetente.

Mirëpo në këtë plan dhe program si do të arrihen këto qëllime nuk përshkruhen.

Ndërkaq, në këtë plan dhe program shkruhet se nga donatorë të jashtëm Komuna e Kërçovës ka siguruar 20 milionë denarë apo mbi 300 mijë euro mirëpo nuk shkruhet se për çka do të përdoren ato mjete.

Në program gjithashtu shkruhet se komuna planifikon që në të ardhmen të ndërtojë një strehimore, por përsëri nuk ka afat konkret.

Komuna e Kërçovës, e cila në vitin 2020 kishte fituar një grant prej 300 mijë eurosh, planifikonte me ato para të ndërtonte një strehimore për qentë endacakë mirëpo për shkak se komuna nuk ka pronë për këtë projekt, strehimorja nuk u ndërtua. Komuna gjithashtu i kishte kërkuar komunës së Makedonski Brodit, një parcelë mirëpo për Portalb.mk nga Komuna e Makedonski Brodit thanë se aktualisht nuk kanë mundësi për ta bërë atë.

Në lidhje me atë se a kanë gjetur vend për ndërtimin e strehimores, për Portalb.mk nga komuna në fund të viti 2023 thanë se ende nuk kanë gjetur.

“Komuna e Kërçovës ende nuk ka gjetur vend për projektin e ndërtimit të një strehimore për qentë endacakë, është në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një vend, por, pavarësisht kësaj, Komuna e Kërçovës çdo vit përgatit dhe realizon program me të cilin kryejmë grumbullimin dhe sterilizimin/kastrimin dhe vaksinimin e qenve endacakë”, thanë nga Komuna e Kërçovës.

Nga ana tjetër të dhënat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë se vetëm për muajin janar të vitit 2024 në Kërçovë janë  paraqitur 20 raste të personave të kafshuar nga qentë endacakë.

Përndryshe, numri i personave të kafshuar nga qentë endacakë në territorin e Kërçovës është rritur konsiderueshëm për këto 3 vitet e fundit, gjegjësisht për vitet 2021, 2022 dhe 2023. Që nga viti 2015 deri në vitin 2023 numri i të kafshuarve nga qentë endacakë është për shtatë herë më i lartë. Në vitin 2015  janë regjistruar vetëm 31 raste të kafshimeve nga qentë endacakë, ndërsa në vitin 2023 ka pasur 246 raste të personave të kafshuar.