Qeveri e Maqedonisë së Veriut reagoi në lidhje me arrestimin e shoferit të një funksionari

Pas publikimit të lajmit se është arrestuar një shofer i një funksionari të Qeverisë së RMV-së, ka reaguar kjo e fundit, duke theksuar se aksioni është meritë e Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Në kohën e kryerjes së veprës së paligjshme, personi në fjalë punonte dhe kryente detyra si shofer për nevojat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, pasi më parë kishte lidhur marrëdhënie pune në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, sipas praktikës së zbatuar në të gjitha institucionet e tjera”, sqaruan nga Qeveria.

Qeveria theksoi se denoncimi fillestar ka ardhur nga institucionet, ndërsa Prokuroria theksoi se rasti është paraqitur fillimisht nga qytetari.

“Ky rast dëshmon se ligjet vlejnë për të gjithë dhe konfirmon vullnetin dhe synimin e Qeverisë për ta luftuar korrupsionin. Me këtë vendoset një kufi i qartë ndërmjet atyre që synojnë të kryejnë keqpërdorime dhe të gjithë të tjerëve që luftojnë kundër tyre. Ky është edhe një shembull se si, përmes bashkëpunimit të përbashkët ndërmjet organeve dhe institucioneve, mund të vihet drejtësia në vend”, deklaruan nga Qeveria, duke e vlerësuar se ‘i gjithë aksioni është pjesë e angazhimeve të Qeverisë për luftë të pakompormis kundër korrupsionit”.

Ndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shkup ka filluar procedurën hetimore për një person të dyshuar se ka marrë në mënyrë të kundërligjshme dhuratat. Policia njoftoi se bëhet fjalë për 49 vjeçarin D.C.

Ai dyshohet se prej 24 korrikut e deri më 4 shtator ka kërkuar nga një qytetar 1 500 euro për të ndikuar në konkursin për zjarrfikës në Qytetin e Shkupit.