Qendrat e ndihmës në Gazë do të mbyllen përkohësisht pas vrasjes së 27 personave
Qendrat për shpërndarjen e ndihmës në Gazë do të mbyllen përkohësisht më 4 qershor, njoftoi fondacioni që udhëheq ato, teksa ushtria izraelite paralajmëroi se rrugët që çojnë drejt qendrave “konsiderohen zona të luftës”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Njëzet e shtatë persona u vranë në jug të Gazës të martën, kur ushtria izraelite hapi zjarr pranë një qendre të ndihmës që drejtohet nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Së fundi, Izraeli ka lehtësuar bllokadën në enklavën palestineze, por Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit është në rrezik nga zia e bukës.
Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe qasje humanitare në Gazë, një masë për të cilën SHBA-ja pritet të vendosë veto.
GHF-ja tha se “qendrat e shpërndarjes do të mbyllen për rinovim, riorganizim dhe përmirësim të efikasitetit të punës” të mërkurën dhe operacionet do të rinisin të enjten.
Ushtria izraelite, që ka konfirmuar mbylljen e përkohshme, paralajmëroi njerëzit kundër kalimin “në rrugët që çojnë drejt qendrave të shpërndarjes, të cilat konsiderohen zona të luftës”
GHF-ja nisi operacionet një javë më parë, por OKB-ja dhe grupet e tjera të mëdha të ndihmës kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me të, duke ngritur shqetësime se kjo organizatë është krijuar për t’u përshtatur me qëllimet ushtarake të Izraelit.
Pas incidentit vdekjeprurës të së martës afër një qendre të GHF-së, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi “të papranueshme” vrasjen e palestinezëve që po shkojnë për të marrë bukë në qendrat e shpërndarjes.
Autoritetet izraelite dhe GHF-ja – që përdor personel amerikan të sigurisë – kanë mohuar akuzat se ushtria izraelite qëllon ndaj civilëve që shkojnë për të marrë pako me ndihma në qendrat e GHF-së. Ushtria izraelite tha se ngjarja e së martës është duke u hetuar.
Izraeli ka intensifikuar sulmet gjenocidale mbi civilët me arsyetimin për të mposhtur Hamasin.
Të paktën 4.240 persona janë vrarë që kur Izraeli ka rinisur ofensivën gjenocidale në territorin palestinez më 18 mars, teksa numri i përgjithshëm i viktimave në Gazë që kur ka nisur lufta ka arritur në mbi 54.000.