Putin tha se Rusia pajtohet në parim me propozimin e SHBA-së për armëpushim në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Lideri rus tha gjithashtu se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate, që adreson shkaktarët kryesorë të luftës, me gjasë duke iu referuar zgjerimit të NATO-s.

“Ne pajtohemi me propozimin për t’i ndalur luftimet. Por, ne nisemi nga fakti se kjo duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate dhe duhet t’i zhdukë shkaqet rrënjësore të kësaj krize”, tha Putin të enjten.

“Ne jemi për [armëpushim], por ka nuanca”, tha Putin gjatë një konference për shtyp në Moskë me liderin bjellorus, Aleksandr Lukashenko.

Putin po përballet me dilemë pasi delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni pajtuan më herët këtë javë – gjatë një takimi në Arabinë Saudite – për një armëpushim 30-ditor të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke e vendosur përgjegjësinë për paqen në duart e Moskës.

“Mendoj se rusët janë të interesuar të mos shihen si pala e paepur, pasi kjo mund të çojë në pasoja nga Trump, siç janë sanksionet. Kjo ka ndikuar në komentet e Putinit sot”, tha John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, një institut kërkimor me bazë në Uashington.

Trump dërgoi të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, në Moskë për të marrë pëlqimin e Kremlinit për armëpushimin. Witkoff pritej të takohej me Putinin menjëherë pas konferencës për shtyp të liderit rus me Lukashenkon.

Pas komenteve të Putinit, Trump tha se shpreson që Rusia do ta “bëjë gjënë e duhur” dhe të pranojë armëpushimin. Ai i përshkroi komentet e Putinit si “premtuese,” por të paplota.

Trump e ka bërë përfundimin e pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës nga Rusia prioritet kryesor që kur mori detyrën në janar, duke dërguar me shpejtësi zyrtarë të lartë në Moskë dhe në Kiev për ta shtruar rrugën për bisedime.

Të mërkurën, Trump i bëri thirrje Rusisë ta pranojë një armëpushim 30-ditor, duke e paralajmëruar se do të vendosë sanksione shtesë ndaj saj, nëse ajo e hedh poshtë propozimin amerikan.

Lideri i Kremlinit tha se propozimi përmban pyetje pa përgjigje, si për shembull, çfarë do të bëhet me inkursionin e Ukrainës në rajonin rus të Kurskut.

“Nëse kemi një armëpushim, a do të thotë kjo se të gjithë atje do të largohen?” tha Putin.

“A duhet t’i lirojmë ata [trupat ukrainase] pasi kanë kryer krime kundër popullsisë? Apo do të dorëzohen?” pyeti ai.

Ukraina kreu një inkursion befasues në Kursk në gusht të vitit të kaluar, duke marrë një pjesë të territorit rus me shpresën për ta shkëmbyer me tokën e saj sapo të fillojnë bisedimet për paqe.