Kush janë trollët online? Të varur nga interneti, të frustruar ose armë e fuqishme propagandistike

Ka shumë gjasa t’ju ketë ndodhur – komentoni ndonjë qëndrim tuajin në Facebook ose postoni diçka që mund të mos ju duket aq kontraverse, e del dikush me një mendim të kundërt dhe me ton provokues, të palogjikshëm dhe kokëfortë. Papritur, e gjithë biseda merr një drejtim të ri të palogjikshëm, humbni kohë dhe nerva dhe në fund filloni të mendoni se si mund të ekzistojnë njerëz të tillë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Me pak fjalë, ju keni hasur në troll.

Trollët janë një fenomen online definicioni për të cilët ndryshon dhe zgjerohet vazhdimisht. Në përgjithësi bëhet fjalë për njerëz që e përdorin hapësirën online për t’i nevrikosur përdoruesit e tjerë të një rrjeti të caktuar social dhe për të nxjerrë nga shinat çdo diskutim normal.

Anonimiteti që mundëson interneti, si dhe mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë fizik, e mundëson këtë fenomen të ri social dhe bihejvioral, ku njerëzit thonë gjëra që ndoshta nuk do t’i kishin thënë kurrë po të kishin qenë ballë për ballë me njëri tjetrin.

Por vitet e fundit po vihet re një “nënlloj” i ri i këtij fenomeni online. Trollët e rinj nuk fshihen pas një llogarie anonime dhe nuk janë më aktorë të pavarur, por me vete sjellin edhe një ushtri të tërë njerëzish që ndajnë mendimin e njëjtë.

Trollët e tillë angazhohen dhe paguhen nga partitë politike – ata punojnë në të ashtuquajturat “fermat e trollëve”. Këta trollë “politikë” nuk kanë më motiv vetëm argëtimin, por ata kanë për qëllim që ta vërshojnë hapësirën online me qëndrimet e tyre, ose më mirë me qëndrimet e atij që i paguan.

Trollët dhe të gjitha llojet e sjelljeve joautentike online po bëhen të pranishme kudo në hapësirën online dhe kanë potencial të shkaktojnë pasoja serioze në “jetën reale”, duke filluar që nga “botët” serbë deri tek trollët vendas që krijojnë një pamje të rreme të nivelit të mbështetjes për një politikan.

Troll-i, ilustrim nga giphy.com
Troll-i, ilustrim nga giphy.com

Llojet e ndryshme të trollëve kanë të përbashkët atë se aktiviteti i tyre në internet është joautentik – qoftë për shkak të asaj se ata i ekzagjerojnë qëndrimet e tyre që të shkaktojnë një lloj reagimi nga të tjerët ose për kënaqësinë e tyre morbide, ose sepse paguhen që ta kenë atë qëndrim të cilin e plasojnë në hapësirën online.

Trollët e “pavarur” që vendosin ta mposhtin hapësirën online e ilustrojnë një fenomen psikologjik të quajtur “potencë sociale negative”, domethënë, ata ndjejnë kënaqësi kur dikush tjetër vuan ose kur reagon negativisht ndaj asaj që po bëjnë.

Sipas profesorit Мark Griffiths, “shumica e njerëzve i troll-ojnë të tjerët për hakmarrje, për vëmendje, për argëtim personal ose thjesht nga bezdia.”

Trollimi ekstrem mund të kthehet edhe në bulling kibernetik. Por ajo që e dallon trollimin nga bullizmi tipik kibernetik është se trollët shpesh duan që pikërisht ata të jenë në qendër të vëmendjes, e jo viktima.

Për dallim nga ata, trolli politik modern i cili paguhet për këtë gjë nuk ka për qëllim që ai apo viktima të jenë në qendër të vëmendjes, por ideja të cilën dëshiron ta promovojë një aktor i caktuar politik.

Te trollët me pagesë, profili individual psikologjik i trollëve nuk ka aq shumë rëndësi, sepse ata nuk veprojnë me vullnetin e tyre të lirë. Prandaj, Meta, pronari i Facebook-ut dhe Instagram-it, aktivitetet e trollëve të fermave të trollëve politikë i quan “sjellje joautentike të koordinuara“.

Operacionet e trollëve politikë

 Strategjia kryesore e trollëve me pagesë është “përmbytja”, gjegjësisht postimi i përmbajtjeve të një lloji të caktuar me bollëk. Bëhet fjalë për punën e “fermave të trollëve”, një rrjet njerëzish (të cilët shpesh qëndrojnë pas llogarive të shumta) detyra e të cilëve është të postojnë një lloj të caktuar përmbajtjesh në rrjetet sociale gjatë gjithë ditës.

“Nëse kemi një temë që po flitet dhe trollët përfshihen për ndonjë arsye sepse dikush ka interes, ata do të vërshojnë diskursin. Nëse ti dhe unë diskutojmë normalisht – unë jam pro, ti je kundër – mund të ketë një lloj debati. Por nëse keni një fermë trollësh dhe 200 njerëz nën komentin tuaj shkruajnë “po, po, ashtu është” – në interesin e kujt do të shkojë debati?”, thotë Mihajllo Lahtov, specialist për edukimin mediatik dhe mediat.

Një nga fermat më të famshme të trollëve është “Agjencia e Hulumtimeve në Internetit” nga Rusia (AHI), me seli në Shën Petersburg. Ajo u bë e njohur në publik për rolin e saj në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, duke fabrikuar lajme në interesin politik të Donald Trump-it. Një nga punonjësit e agjencisë foli për The Washington Post rreth asaj se si ishte të punoje në të.

“Ndjehesha si një personazh në librin “1984” të George Orwell – një vend ku duhet të shkruash se e bardha është e zezë dhe e zeza është e bardhë. Ndjenja juaj e parë, kur përfunduat atje, ishte se jeni në një lloj fabrike në të cilën gënjeshtra, thënia e të pavërtetave u shndërrua në një linjë montimi industrial. Kishte një numër të madh njerëzish, nga 300 deri në 400, dhe të gjithë shkruanin gënjeshtra absolute”, tregonte një person anonim i punësuar te “Agjencia”, për Washington Post.

Ndërtesa e Agjencisë së Kërkimeve të Internetit (Internet Research Agency) e quajtur fabrika ruse e trolleve, në rrugën Savushkina në Shën Petersburg, Rusi. Foto nga Charles Maynes, Public domain, nga Wikimedia Commons
Ndërtesa e Agjencisë së Hulumtimeve të Internetit (Internet Research Agency) e quajtur fabrika ruse e trolleve, në rrugën Savushkina në Shën Petersburg, Rusi. Foto nga Charles Maynes, Public domain, nga Wikimedia Commons

Por modeli rus i trollimit është vetëm një mënyrë e punës.

“Laboratorët e trollëve kinezë janë shumë interesantë. Ata përdorin një strategji pozitive troll, kjo do të thotë që trollët e tyre nuk hyjnë në diskutim, nuk mohojnë asgjë, nuk luftojnë (si modeli i trollit rus), nuk ju bindin se perëndimi është i keq dhe Kina është e mirë, por vetëm shumëfishojnë videot dhe përmbajtjet propagandistike të përgatitura paraprakisht se sa mirë dhe sa bukur është në Kinë. Ata punojnë për të mbrojtur interesat specifike të shtetit. Kina ka një agjenci propagandistike shtetërore që menaxhon propagandën, është një model kompleks, i reformuar në vitet 1990”, shpjegon Lahtov.

Nëse përpiqemi ta vendosim një trolliim të tillë “pozitiv” në kontekstin e përkufizimit origjinal të trollimit si sjellje në internet që synon të nevrikosë një person tjetër, mund të shohim se si përdorimi i sjelljes joautentike në internet është zhvilluar dhe zgjeruar me kalimin e viteve.

Shumëllojshmëria e llojeve të trollëve u pa në listën e gjerë të llogarive të trollëve të publikuar në vitin 2023 në Serbi. Trollët, ose “botet” siç quhen ndonjëherë, ndahen në tri kategori: “super specialë”, “fansa” dhe “hejterë”. Dragan Vidakoviq – Mrki, i cili e ka publikuar listën, vitin e kaluar për Меta.mk  shpjegoi se “super special” janë botet më aktivë që i sulmojnë kundërshtarët partiak dhe përhapin informacione të rreme për ta, ndërsa fansat përhapin “mbështetje për regjimin”.

“Hejterët janë ata që sulmojnë çdo lajm të mediave të lira. Ata shpesh mund të vihen re me komente si “Unë nuk jam për Vuçiqin, por këta…” ose “Të gjithë janë njësoj” dhe komente të ngjashme. Hejterët janë përgjegjës për vrasjen e moralit të atyre që janë politikisht neutralë”, shpjegon Vidakoviq për Meta.mk.

Postim në profilin e Aleksandar Vuçiqit në Instagram, ku përqesh akuzat për botet Burimi Profili i Aleksandar Vuçiqit në Instagram
Postim në profilin e Aleksandar Vuçiqit në Instagram, ku përqesh akuzat për botet Burimi Profili i Aleksandar Vuçiqit në Instagram

Fermat serbe të trollëve gjithashtu zbuluan se trollët jo domosdoshmërisht janë paguar. Siç tha Jovana Brajoviq, e cila foli publikisht si një ish-“bot” i Partisë Progresive Serbe (SNS), ajo nuk ka marrë asnjë dinar për aktivitetet e saj, por është shantazhuar se nëse nuk “trollonte” do ta humbiste vendin e punës në hidrocentralin e Gjerdapit.

Lahtovi thotë se ka vënë re një lloj të këtillë të llogarive joautentike, i ka vënë re edhe në komentet e politikanëve maqedonas. Përkatësisht, ish-ministri i Shëndetësisë dhe Arsimit në qeveritë e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, në një intervistë në vitin 2018 zbuloi se partia ka bote partiake që përdoren për të kryer linçime në rrjetet sociale, për të përhapur gënjeshtra dhe gjuhë të urrejtjes.

Një deklaratë të ngjashme ka bërë edhe ish-deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, e cila publikisht e ka konfirmuar ekzistencën e boteve partiake në vitin 2019.

Çfarë duhet të ndërmerret për trollët?

E ardhmja e kontrollimit të trollimit nuk është e shpresëdhënëse. Përballja me trollimin do të bëhet edhe më e vështirë pasi puna e tyre të bëhet gjithnjë e “më e lehtë” nga teknologjia që e përdor inteligjencën artificiale. Nëse më parë kanë shpërndarë dezinformata, tani ata do mund të shpërndajnë dezinformata me foto apo video të rreme, të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale.

“Duhet vënë theksi tek edukimi mediatik për t’i zvogëluar efektet e dëmshme të trollimit. Qytetarët që në moshë të re përmes edukimit duhet të mësojnë se si funksionojnë mediat sociale, në çfarë mënyre veprojnë ato. Ata duhet ta kuptojnë sistemin e algoritmeve që të kuptojnë se pse ju shfaqen përmbajtje të caktuara. Pse është shfaqur tek ty dhe jo tek dikush tjetër? Kush e redakton dhe kush i përpilon dhe kush i redakton përmbajtjet e sotme, sepse nuk ka më një redaktor”, shpjegon Lahtov.

Në këtë drejtim, nëse ka ndonjë rregullim në lidhje me hapësirat online, Lahtov mendon se ai duhet të drejtohet drejt kompanive të teknologjisë në platformat e të cilave funksionojnë trollët, dhe jo trollëve individualë, sepse rregulloret e tilla shumë lehtë mund t’i shkelin të drejtat e lirisë së shprehjes.

“Në këtë botë ne kemi një situatë ku informacioni dhe të dhënat mund të ndahen si kurrë më parë pa asnjë kontroll dhe pa asnjë rregullore. Askush, as Google dhe as Meta, nuk zbulon se si është bërë algoritmi i tyre. Unë jam për një rregullim ligjor, një kornizë ligjore, e cila do t’i detyrojë ata t’i publikojnë publikisht algoritmet e tyre – çfarë të çon në çfarë, cilat të dhëna përdoren”, thotë Lahtov.

Bashkimi Evropian e miratoi Ligjin për Shërbimet Digjitale (DSA), i cili kërkon një nivel më të lartë të transparencës nga platformat kryesore në internet, si Meta, Google, Amazon dhe të tjera, sidomos kur bëhet fjalë për tema politikisht të ndjeshme.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Joe Biden në tetor të vitit 2023 nënshkroi  një urdhër ekzekutiv për përdorimin e teknologjisë që përdor IA. Ai përfshin urdhra për transparencë më të madhe nga kompanitë në lidhje me të dhënat e përdorura, mbrojtjen nga diskriminimi në përdorimin e këtyre algoritmeve, si dhe etiketimin e duhur të përmbajtjes së krijuar nga IA.

Përderisa jemi në pritje të rregullimit të duhur ligjor në sektorin e teknologjisë, secilit prej nesh i mbetet të jetë i kujdesshëm që të mos ngecë në luftërat me komente dhe të jetë i vetëdijshëm për të gjitha taktikat e manipulimit që i përdorin aktorët politikë.