Protestë në Shkup kundër dënimit prej 11 vjet burg për Faton Lurin

Sot para Gjykatës Penale në Shkup u mbajtën protesta për drejtësi, përkatësisht kundër vendimit prej 11 vjetësh burg për 25 vjeçarin Faton Luri, i cili përplasi me motoçikletë  68-vjeçarit Jugosllav Nikollovski në bregun e lumit Vardar, transmeton Portalb.mk.

Protestuesit e familjarët, dënimin e kondsiderojnë si skandaloz, duke theksuar se ngjarja në fjalë ka qenë aksident, e jo vepër e bërë me paramendim. Ata kërkuan rishikimin e rastit dhe barazi para ligjit.

Babai i Fatonit, Abaz Luri tha se djali i tij po vuan një dënim që zakonisht u jepet vrasësve, ndonëse sipas tij, gjithçka ishte një fatkeqësi.

“Fatoni nuk është vrasës. Fatoni ka qëlluar rastësisht në vend të gabuar dhe në moment të gabuar. Të dënohet me atë dënim kjo është një pabesi se kjo nuk besoj që ka ndodhë deri tash në vendin tonë po as në botë nuk ndodhin dënime kaq të rënda. Shfrytëzoj rastin ti shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit. Kemi tentuar disa mënyra të kontaktojmë me ato por nuk na kanë pranuar. Apeloj te prokurorja, te gjykatësi që këto gjykime mos të bëhen me mllef ose me dëshirën e tjetër kujt por të gjykohen sipas asaj që e meritojnë”, tha Abaz Luri.

Më 29 dhjetor, Gjykata Themelore Penale – Shkup dënoi Faton Lurin me 11 vjet burg, i cili me motoçikletë përplasi 68-vjeçarin Jugosllav Nikollovski në një shteg për këmbësorë në Shkup.

Më 1 korrik të këtij viti, Faton Luri, duke drejtuar një motor Kawasaki pa patentë shoferi në shtegun për këmbësorë në bregun e Vardarit, përplasi Nikollovskin dhe u largua nga vendi i aksidentit.

Luri po ngiste Kawasakin pa patentë shoferi dhe pa helmetë, ndërsa pas aksidentit ai ishte në arrati për dy ditë.

I pandehuri Faton Luri u deklarua fajtor në njërën nga seancat e mëparshme për veprën penale, krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa gjykimi vazhdon për krimin e mosdhënies së ndihmës një personi të lënduar në një aksident trafiku.