Protestë e tretë paralajmëruese nga të punësuarit nga MIA

Të punësuarit e Agjencisë Informative Mediatike – MIA edhe sot dolën në protestë paralajmëruese në kohë të pauzës, për shkak se Qeveria ende nuk është përgjigjur  në kërkesën e tyre për rritjen e pagave, informojnë nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Mediave (SPGM), transmeton Portalb.mk.

“Të punësuarit nga MIA kanë një seri kërkesash nga të cilat më e rëndësishme është rritja e rrogave për 30 përqind dhe përshtatja me shpenzimet e jetesës. Përkujtojmë se MIA është shtyllë e gazetarisë objektive, që në përditshmëri prodhon rreth 400 lajme në gjuhën maqedonase, në gjuhën shqipe dhe angleze dhe është burimi kryesor i lajmeve në hapësirën mediatike si në vend, ashtu edhe në rajon ”, shkruan në kumtesën e SPGM.

Punëtorët e MIA-së shpresojnë se së shpejti do të ketë zgjidhje pozitive për kërkesën e tyre legjitime për rritje të rrogave.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Mediave vlerëson se kërkesat e të punësuarve në MIA janë legjitime dhe i jep mbështetje maksimale, sepse liria e mediave dhe liria e fjalës, madje edhe lufta kundër lajmeve të rrejshme janë të pamundura nëse gazetarët dhe punonjësit kanë paga më të ulëta se mesatarja.

Rikujtojmë se punonjësit e Agjencisë informative – MIA prej të enjten, javën e kaluar kanë dalë në protestë paralajmëruese me kërkesë për rritje të pagave. Me planin financiar të punës së MIA-së për vitin 2023 janë paraparë mjete për rritje të pagave, ndërsa punëtorët pohojnë se kanë muaj që presin që kjo të futet në rend dite të seancës së Qeverisë.