Protestat në Tiranë midis testit të demokracisë dhe alarmeve për ndikime të huaja fqinje
Protestat në Shqipëri të quajtura “Revolucioni Flamingo”, kundër projekteve në zonat e mbrojtura po hyjnë në javën e tretë. Ato po zhvillohen në një periudhë kur Shqipëria sapo ka hapur gjitha kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, shtrohet dilema se sa protestat mund të shfrytëzohen nga aktorë të ndryshëm për të penguar rrugëtimin evropian të vendit. Marshimet po mbahen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në mënyrë paqësore, ku po kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i kastës së vjetër politike, shkruan Portalb.mk.
Në javët e fundit, protestat kanë nxitur një debat të gjerë publik për ndikimin e tyre të mundshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Paralelisht me zgjerimin e protestave, janë shfaqur pretendime për ndikime të huaja, përpjekje për destabilizim dhe “luftës hibride”.
Këtë narrativë e artikuloi dhe kryeministri Edi Rama, i cili në një intervistë për CNN në fillim të qershorit foli për një “luftë hibride” të drejtuar nga “armiq që i njohim shumë mirë” dhe për “konkurrencë të fortë në pjesën tonë të Mesdheut”.
Ndërkohë që Rama denonconte atë që e quajti “luftë hibride” kundër zhvillimit të Shqipërisë dhe linte të kuptohej se Greqia mund të kishte interesa në ndalimin e projektit të Zvërnecit, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullonte një imazh i gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej një kolonë autobusësh pranë një pike kufitare.
Deri më tani protestuesit kanë refuzuar simbolet partiake të të gjithë partive politike, si të atyre në pozitë ashtu edhe të atyre në opozitë. Kërkesa kryesore e tyre, përveç dorëheqjes së Ramës, është edhe pezullimi i projektit në Zvërnec e Sazan. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, deklaroi se asnjëra prej tyre s’do të ndodhë, pasi vetëm një vit më parë ai u votëbesua në zgjedhjet parlamentare, ku fitoi shumicën në mënyrë absolute.
Protestat nuk do të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë në BE, por do të forcojnë institucionin dhe debatin publik
Ekspertët dhe njohësit e çështjeve politike në Shqipëri, nuk qëndrojnë në mendimin se protestat që po zhvillohen në Tiranë, do të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian (BE). Sipas tyre, protestat po tregojnë një pjekuri politike të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe të gjeneratës së re në veçanti.

Për analistin Erjon Tase, i cili u shpreh për Portalb.mk, protestat masive janë shprehje e pakënaqësive të brendshme dhe pjesë e një procesi demokratik brenda shoqërisë shqiptare. Sipas tij, protestat nuk duhen të shihen si pengesë për integrimin, por si dëshmi që shoqëria shqiptare po kalon në një fazë ku qytetarët kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe standarde evropiane.
“Nëse qytetarët po protestojnë kundër korrupsionit apo një qeverisjeje më të përgjegjshme, në mbrojtje të natyrës dhe kundër investimeve të disa personave të pasur në kurriz të shumicës së qytetarëve të pambrojtur, këto kërkesa janë në themel të Evropës ku kërkohet të integrohemi” tha Tase.
Ai më tej shtoi se ashtu siç mund të konstatohet gjatë këtyre ditëve të protestave, bartës janë rinia dhe qytetarët të cilët kërkojnë një ndryshim të elitës së vjetër politike. Tase shtoi se kjo rini që po proteston është pikërisht ajo gjeneratë që kanë lindur, janë rritur dhe janë bërë prindër me të njëjtët udhëheqës në qeveri apo opozitë. Siç tha Tase, kjo është e njëjta klasë politike e cila ka refuzuar rotacionin, ka kufizuar demokracinë e brendshme në partitë e tyre dhe meritokracinë që mund të promovojë të rinj të talentuar dhe ta sfidojnë nga brenda elitën e postranzicionit komunist.
Edhe analisti Lutfi Dervishi, është i të njëjtit mendim se protestat nuk do ta pengojnë rrugën evropiane të Shqipërisë. Në një prononcim për Portalb.mk, Dervishi, tha se protestat nuk do ta ngadalësojnë rrugën eurointegruese të Shqipërisë, por përkundrazi ato do ta përshpejtojnë atë. Ai është i mendimit se nëse protestat mbeten paqësore, siç kanë qenë deri tani, në asnjë mënyrë nuk do ta dëmtojnë procesin e integrimit evropian, por do ta forcojnë edhe më shumë.
“Bashkimi Evropian nuk është vetëm bankomat, një projekt ekonomik apo administrativ, por edhe një projekt dhe mentalitet demokratik. Në Bruksel askush nuk shqetësohet nga fakti që qytetarët protestojnë. Shqetësimi lind kur qytetarët nuk kanë mundësi të protestojnë, kur media nuk pasqyron protestën, kur shteti kufizon liritë themelore ose kur institucionet nuk dëgjojnë zërin e tyre”, u shpreh Dervishi.
Dervishi shtoi se një protestë e madhe, e organizuar spontanisht, paqësisht dhe me pjesëmarrje të gjerë qytetare, është dëshmi e një shoqërie aktive dhe demokratike. Ai nënvizoi se përmes kësaj proteste nga sa ka ndjekur në media dhe rrjete sociale, imazhi i Shqipërisë nuk është goditur, përkundrazi është përmirësuar.
Mendime të ndara për ndikimet e huaja: Disa ekspertë i shohin protestat si proces demokratik, të tjerë paralajmërojnë rreziqe për imazhin e vendit
Sipas njohësve të rrethanave politike në Shqipëri, protestat e “Revolucionit Flamingo”, janë një sfidë për institucionet shtetërore, se si do të arrijnë t’i menaxhojnë këto protesta dhe kjo do të tregojë edhe sa janë të gatshëm të ecin drejt rrugës së integrimit evropian.
Erjon Tase, tha se nëse institucionet arrijnë t’i menaxhojnë këto protesta me dialog dhe respekt për të drejtat e njeriut, rruga eurointegruese jo vetëm që nuk ngadalësohet, por mund të forcohet rruga evropiane e vendit.
“Pra, ndikimi varet nga mënyra se si qeveria dhe opozita i trajtojnë këto zhvillime. Për momentin, protestat në Tiranë nuk duken të kenë financime të fshehta apo ndonjë narrativë antievropiane. Nëse ndonjë aktor i huaj po promovon këto protesta në rrjetet sociale, siç mund të jetë rasti i Iranit, kjo është për një përfitim të brendshëm në Iran dhe jo në Shqipëri”, u shpreh Tase.

Në vijën e njëjtë qëndron edhe analisti Lutfi Dervishi, i cili u shpreh se Shqipëria po negocion për anëtarësim në BE pikërisht që qytetarët e saj të kenë më shumë të drejta, më shumë transparencë dhe më shumë mundësi për të kërkuar llogari nga qeveria.
“Prandaj pyetja nuk është nëse protestat dëmtojnë integrimin evropian, por nëse institucionet arrijnë t’u japin përgjigje shqetësimeve që i nxjerrin qytetarët në rrugë. Kur qindra mijëra njerëz protestojnë për javë të tëra, shpjegimi më bindës zakonisht nuk gjendet jashtë vendit, por brenda tij. Protestat aktuale lindën nga një pakënaqësi e akumuluar prej vitesh për çështje shumë konkrete: duke nisur te mjedisi e duke vijuar me koston e jetesës, çmimet e banesave, emigrimin, korrupsionin, abuzimin, mungesën e transparencës dhe faktin se vendimet e rëndësishme merren pa konsultim me qytetarët”, tha Dervishi.
Më tej, Dervishi, foli edhe për ndikimet e mundshme të huaja në protestat që po zhvillohen në Tiranë. Sipas tij, deri më tani, nuk është paraqitur asnjë provë publike që do të shpjegonte përmasat dhe vazhdimësinë e këtyre protestave si rezultat të një operacioni të jashtëm. Ai për audiencën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, nënvizoi se Shqipëria nuk po kalon një krizë shtetërore, por një debat të fortë demokratik mbi modelin e zhvillimit, qeverisjen dhe të ardhmen e vendit dhe nuk ka asnjë arsye për alarm.
Nga ana tjetër, analisti Selim Ibraimi, ka një qëndrim tjetër sa i përket ndikimit të huaj në protestat në Tiranë për Zvërnecin. Ai qëndron në mendimin se vende të ndryshme, kanë interesa që të pengojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Në një deklaratë për Portalb.mk, ai tha se vazhdimi i protestave për një kohë më të gjatë e rrit mundësinë që Shqipërinë ta paraqesë si një vend jo stabil, me institucione që nuk janë në gjendje të vendosin rendin dhe sigurinë publike.
“Megjithëse protestat janë pjesë e demokracisë, një paraqitje e tillë lë hapësirë për vendosjen e pengesave dhe kushteve të reja për Shqipërinë nga BE-ja. Tirana zyrtare vazhdon të mbetet aty, para dyerve të BE-së. Zgjidhja e kërkesave të qytetarëve të pakënaqur në një kohë më të shkurtër do të ndikonte që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt BE-së. Por, gjithsesi, ngjarjet e fundit na kujtojnë vitin 1996/97 dhe ekziston frika se këto protesta mund të kalojnë në dhunë e më shumë se kaq”, u shpreh Ibraimi.
Më tej, duke folur për ndikimet e mundshme të huaja në protestën të cilën po zhvillohet në Tiranë, Ibraimi tha se mund të hasim në disa shenja që paraqesin elemente të huaja të cilët janë të interesuar për ta penguar rrugëtimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj gjatë dy dekadave të fundit, si në ekonomi ashtu edhe në fusha të tjera.

Për Ibraimin padyshim që ka shumëçka për t’u thënë rreth shtetit ligjor dhe sundimit të drejtësisë në Shqipëri, por është e paqartë pse kjo po ndodh pikërisht në këtë kohë.
“Nga përbërja, thirrjet dhe po ashtu raportimet, është e qartë se protestat nuk lidhen vetëm me moszbatimin e ligjeve në zonat e mbrojtura, por edhe me faktorë të tjerë, ku organizata nga shtete fqinje dëshirojnë që Shqipëria të dëmtohet. Padyshim që ka shumë për t’u thënë rreth shtetit ligjor dhe sundimit të drejtësisë në Shqipëri, por është tepër e paqartë pse kjo po ndodh pikërisht tani. Edhe pse qeveritë në rajon nuk kanë thënë gjë rreth protestave, është e njohur historikisht se në Shqipëri shtete fqinje janë përzier në punët e brendshme dhe kanë ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve politike, ekonomike e më shumë”, deklaroi Ibraimi.
Ndryshe, në protestë vijojnë të jenë masive thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg dhe Rama jepe dorëheqjen”, të cilat janë dëgjuar vazhdimisht nga pjesëmarrësit gjatë marshimeve dhe tubimeve në kryeqytet.
Protestës gjatë fundjavës iu bashkua edhe deputetja Marjana Koçeku. Prania e saj në protestë vjen teksa ajo pak ditë më para njoftoi largimin e saj nga grupi i Partisë Socialiste. Protesta vijon para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit qytetar edhe në ditët në vijim.