Protesta e studentëve para Drejtorisë të të Ardhurave Publike (DAP) kaloi vetëm me disa studentë
Sot, para Drejtorisë të të Ardhurave Publike (DAP), në vend të një proteste studentore, u mbajt një protestë e dhjetëra ish-punonjësve në Afganistan dhe Irak dhe disa studentëve që kanë punuar jashtë vendit përmes Work&Travel, raporton Portalb.mk.
Para Drejtorisë të të Ardhurave Publike (DAP) ishin mbledhur disa dhjetëra persona që u organizuan përmes një grupi Viber. Edhe pse protesta u njoftua si një protestë studentore, ajo u mbajt vetëm me dy pjesëmarrës që konfirmuan se ishin studentë.
Arsyeja e protestës, siç u njoftua më parë në grupin në Viber, ishte tatimi i të ardhurave që studentët i kanë realizuar në Gjermani përmes programit Work&Travel.
Paraprakisht, disa studentë reaguan në rrjetet sociale ndaj kërkesës nga DAP për të paguar tatim mbi këto të ardhura, e cila erdhi papritur me shpjegimin se institucioni po vepronte në përputhje me ligjet ekzistuese.
Gjatë protestës në DAP mbahej një brifing me gazetarët nga drejtoresha e DAP, Elena Petrova, ku i informoi ata rreth detyrimeve që kanë qytetarët.
Nga DAP thonë se tatimi i të ardhurave të fituara jashtë vendit nuk është një detyrim i ri, por zbatim i ligjit ekzistues që ka qenë në fuqi prej vitesh.
“Republika e Maqedonisë vepron në bazë të një sistemi të vetëtatimit. Kjo do të thotë: tatimpaguesit i përllogarisin dhe i raportojnë vetë detyrimet e tyre, DAP siguron sisteme, mbështetje dhe kontroll. Ekzistojnë përjashtime për kategori të caktuara me tatim paushall”, thuhet në deklaratën e DAP.
Sipas Drejtorisë, deri në vitin 2024 të dhënat nuk janë përpunuar në mënyrë sistematike, por në vitin 2024 filloi analiza, si dhe pastrimi i tyre.
Të dhënat e DAP për vitin 2025 tregojnë se 70.869 qytetarë kanë pasur të ardhura nga jashtë vendit në një shumë totale prej rreth 577 milionë eurosh dhe sqarojnë se jo të gjitha të ardhurat i nënshtrohen tatimit. Deri më tani janë dërguar 9.522 njoftime, ndërsa 4.459 persona vullnetarisht kanë dorëzuar deklarata tatimore.
Nga atje theksojnë se qasja nuk është represive dhe se për momentin nuk aplikohen penalitete ose arkëtim i detyruar.
Sa i përket dilemave për tatim të dyfishtë të mundshëm, nga DAP thonë se kjo nuk ndodh nëse qytetarët paraqesin dëshmi se tatimi tashmë është paguar jashtë vendit dhe e kryejnë procedurën e paraparë për kredi tatimore ose lirim nga pagesa e tatimit.
“Sa i përket studentëve që kanë punuar jashtë vendit, reagimet e tyre pasuan pas dorëzimit të njoftimeve për hyrjet nga jashtë vendit në vitin 2025, gjatë procesit të tatimit në vazhdim, i cili do të përfundojë me gjenerimin e deklaratave vjetore tatimore për vitin 2025 deri në fund të këtij muaji dhe konfirmimin e tyre nga qytetarët deri më 31 maj. Pas reagimeve, sipas të dhënave nga bankat, DAP përzgjodhi 134 të rinj të lindur pas vitit 2000, me të cilët u organizuan takime të drejtpërdrejta për t’i sqaruar detyrimet dhe opsionet e pagesës. Njëkohësisht, zhvilluam një takim me përfaqësues të Senatit të Universitetit, diskutuam mundësitë për pagesa me këste, trajnime, informacion etj.”, thanë nga DAP.
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë.
Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.
Pas kësaj, qytetarët të cilët kanë punuar jashtë kanë mbajtur disa protesta, kryesisht në Tetovë dhe Kumanovë.
- LEXO: Vazhdojnë protestat: Punuan jashtë mbi 183 ditë, por DAP nuk ua njeh statusin e jorezidentit (Video)
- LEXO: Nuk do të ketë tatim retroaktiv, do t’u dilet në ndihmë qytetarëve nga jashtë, sqaroi Petrova
- LEXO: Anuloni vendimet retroaktive: Qytetarët protestuan para DAP-it në Tetovë (Video)
- LEXO: BDI: Të pezullohen menjëherë vendimet tatimore me efekt retroaktiv për qytetarët që kanë punuar jashtë vendit, Qeveria i rrjep qytetarët
- LEXO: “Drejtoria për Abuzim Publik”: Qytetarët protestuan në Tetovë kundër DAP-it për tatimet kur kanë punuar jashtë vendit (Video)