Prokuroria në Shkup nisi procedura në dy raste të ndara të dhunës në familje
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftoi se ka filluar procedurat në dy raste të ndara të dhunës në familje që u zbuluan së fundmi në Shkup. Në një rast, siç raportohet, është filluar procedura kundër një personi i cili, më 25 shtator, në shtëpinë familjare në lagjen Gjorce Petrov, sulmoi dhe plagosi fizikisht partneren e tij jashtëmartesore, transmeton Portalb.mk.
Sipas një përshkrimi të shkurtër të veprës penale, i dyshuari sulmoi fizikisht palën e dëmtuar, duke e goditur me grushte, shuplaka dhe shqelma në kokë dhe në të gjithë trupin, dhe në një moment filloi ta mbyste, duke bërë që gruaja të humbiste ndjenjat.
Ai, siç thuhet në deklaratën e Prokurorisë, akuzohet për veprën penale të lëndimit trupor sipas nenit 130, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal (KP).
I dyshuari në rastin tjetër për të cilin Prokuroria e Shkupit ka filluar procedurat po ndiqet gjithashtu për të njëjtën vepër penale.
Ai e kreu krimin më 1 tetor në fshatin Mirkovci, ku plagosi fizikisht ish-partneren e tij.
“Pasi erdhi në shtëpi dhe e njoftoi ish-gruan e tij se kishte vendosur të qëndronte atje, ajo i kërkoi të largohej. Megjithatë, ai refuzoi, pas së cilës filloi ta sulmonte fizikisht, duke e tërhequr dhe duke e kapur nga krahët, si dhe duke e goditur me grushte, nga të cilat goditje viktima pësoi lëndime”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Në të dyja rastet, prokurori publik propozoi që një gjyqtar i procedurës paraprake të urdhërojë paraburgimin për të dyshuarit, për shkak të rrethanave që tregojnë rrezik arratisjeje.
Kujtojmë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë kryer gjithsej 512 vepra penale në lidhje me dhunën në familje, shumica e të cilave janë kryer nga burrat – gjithsej 474 dhe shumica e të cilave kanë përfunduar me lëndime trupore.