Prokuroria ka nisur hetim për vrasjen në Çashkë: Njëri nga të dyshuarit është identifikuar dhe i dyti është në kërkim
Prokuroria Themelore Publike e Velesit lëshoi urdhër për të zhvilluar procedurë hetimore kundër një personi, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se është bashkëpunëtor në veprën penale të vrasjes sipas nenit 123, paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari, sipas Prokurorisë, më 5 nëntor, në vendin e quajtur Porojnicë, pranë rrugës së paasfaltuar nga Çashka në fshatin Busilcë, së bashku me një person tjetër të paidentifikuar, e privuan nga jeta banorin e Velesit, Gjelo Gjoshev.
Sipas provave, i dyshuari fillimisht e ka joshur të dëmtuarin dhe e ka çuar në vendin e ngjarjes me makinën e tij.
Pastaj, së bashku me personin tjetër, e kanë qëlluar viktimën me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë në kafkë nga e cila ka vdekur.
Prokuroria kërkoi masë paraburgimi për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së krimit. Ata shtojnë se i dyshuari më parë kishte kryer vepër penale – grabitje.
Prokuroria thekson gjithashtu se i dyshuari u përpoq të mbulonte gjurmët e vrasjes dhe në këtë mënyrë të ndikonte në procedurat.
Me urdhër të prokurorit publik, Ministria e Brendshme po punon intensivisht për të identifikuar bashkëpunëtorin tjetër në vrasje, si dhe për të përcaktuar motivet e sakta të vrasjes.