Profesionin e keni në rrezik, gazetarët e huaj i paralajmëruan gazetarët e RMV-së

Mendojmë se gazetaria në Maqedoninë e Veriut është në rrezik, kështu tha sot Ricardo Guetierrez – drejtori i organizatës më të madhe gazetareske në Evropë (EFJ), ku ditëve të  fundit, me ftesë të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), përfaqësues të pesë shoqatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe mediave zhvilluan takime pune me përfaqësues të institucioneve kryesore në vend, transmeton Portalb.mk.

Takimet, siç njoftuan nga SHGM-ja janë zhvilluar me presidentin – Stevo Pendarovski, kryeministrin – Dimitar Kovaçevski, kryetarin e Kuvendit – Talat Xhaferi, me drejtorët e ASHAAM dhe RTM-së, me Ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu, me Ambasadën e BE-së dhe SHBA-së në Maqedoninë e Veriut dhe me një grup gazetarësh.

Ricardo Gutierrez – drejtor i organizatës më të madhe gazetareske në Evropë (EFJ), theksoi shqetësimin për gjendjen e gazetarisë në Maqedoninë e Veriut si dhe nevojën për krijimin e një fondi për produkte mediatike, si një mënyrë për të përmirësuar përmbajtjen mediatike dhe për të promovuar interesin publik.

“Ne mendojmë se gazetaria në Maqedoninë e Veriut është në rrezik: polarizim, mungesë pluralizmi, ndërhyrje në politikën redaktuese, kushte të këqija pune, kompani mediatike të paqëndrueshme… Praktika e mirë në vendet e BE-së për stimulimin e lajmeve cilësore dhe përmbajtjes më të larmishme të interesit publik është te fondet publike që janë krijuar për të mbështetur pluralizmin mediatik (fonde të tilla publike ekzistojnë në Austri, Belgjikë, Kroaci, Danimarkë, Finlandë, Francë, Holandë, Portugali, Spanjë, Suedi…). Të gjitha mediat private, mediat e komunitetit apo mediat jofitimprurëse, përfshirë mediat lokale, duhet të kenë shansin për të përfituar nga ky financim publik. Kjo duhet të përmirësojë standardet e dobëta të punës me të cilat përballen punonjësit e medias në vend dhe të promovojë përmbajtje cilësore, gazetari etike dhe shumëllojshmëri të përmbajtjes editoriale. Fondi publik për pluralizmin mediatik nuk duhet të krijohet për të forcuar manjatët e medias, por për të siguruar pavarësinë dhe diversitetin dhe për t’i shërbyer interesit publik,” theksoi Gutierrez.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut – Mlladen Çadikovski shprehu kënaqësinë që me mbështetjen e partnerëve të huaj po hapet një debat me Qeverinë për themelimin e fondit për pluralizëm mediatik, si dhe marrëveshje për përmirësimin e transparencës së institucioneve qeveritare duke shënuar njoftimet, videot dhe fotografitë me logo brenduese.

“Vetëm kështu publiku do të bëjë dallimin mes produkteve gazetareske dhe komunikimit të Qeverisë. Përveç kësaj, janë intensifikuar përpjekjet për reforma në servisin publik si dhe në rregullatorin e medias, por edhe për përmirësimin e statusit të korrespondentëve vendorë”, ka thënë Çadikovski.

Albana Shala nga “Free Press Unlimited” theksoi problemin e mosndëshkimit kur bëhet fjalë për sulmet ndaj punonjësve të mediave, por edhe problemin e një ndryshimi të mundshëm të ligjit që i referohet pjesës rreth reklamave qeveritare.

“Është thënë nga kryeministri dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës se Qeveria po shqyrton rikthimin e reklamave shtetërore duke paguar të ashtuquajturat fushata me interes publik në mediat private. Kjo na shqetëson për të paktën katër arsye: Projekt-propozimi i rikthimit nuk është në përputhje me legjislacionin e BE-së për ndihmën shtetërore, është gjithashtu diskriminues ndaj mediave të vogla, reklamimi shtetëror përmes fushatave politike të paguara rrit rrezikun e ndërhyrjeve politike në media dhe destinimi i fondeve publike në këtë mënyrë nuk do të përmirësonte përmbajtjen mediatike”, tha Shala.

Laurence Huting nga Qendra Evropiane për Lirinë e Medias (ECMPF) foli për incidentet kur politikanët në skenën publike përpiqen të diskreditojnë gazetarët përmes fjalëve të papërshtatshme.

“Ne diskutuam me përfaqësuesit e qeverisë nevojën urgjente që politikanët dhe bartësit e posteve publike të përmbahen nga deklaratat që kontribuojnë në një klimë armiqësore për gazetarët dhe ndaj gazetarëve. Është pozitive që bashkëbiseduesit tanë konfirmuan rëndësinë e krijimit të një mjedisi të favorshëm për media pluraliste, të lira, që mund të raportojë në interes të publikut, pa frikë apo favore. Megjithatë, jemi të zhgënjyer nga mungesa e angazhimit për veprime konkrete që do të çojnë në përmirësime. Në përgjithësi, kjo sjellje e politikanëve minon besimin në media dhe u tregon të tjerëve se gazetarët janë një objektiv i justifikuar për ngacmime në rrjetet sociale, për padi strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut, apo edhe më keq”, tha Huting.

Takimet e punës u zhvilluan në kuadër të misionit “Fact Finding” me qëllim njohjen më të mirë të situatës mediatike në vend dhe sigurinë e gazetarëve.

Në periudhën e ardhshme do të publikohet një raport i detajuar me rekomandime për përmirësimin e gjendjes me të drejtat e punonjësve mediatik dhe gjendjes së mediave në Maqedoninë e Veriut.