Herostrati i vuri flakën tempullit të Artemisës, një prej shtatë mrekullive të botës antike, vetëm që të bëhej i lavdishëm.
“Ne nuk e dimë emrin e arkitektit të tempullit, por e dimë emrin e zjarrvënësit të tij”, shkroi Umberto Eko.
Kush kërkon vëmendje përmes veprimeve pa kuptim, vetëm për të qenë “i famshëm”, i ngjan Herostratit, që e frymëzoi edhe Zhan-Pol Sartrin.
Herostratizëm do të thotë të shkatërrosh vlerat shoqërore, morale ose kulturore vetëm për të rënë në sy.
Herostratët e pranishëm në çdo mjedis dhe në çdo etapë nëpërkëmbin vlerat shpirtërore vetëm që të bëhen “të famshëm”.
Sot secili ka, së paku, një medium personal, ku mund ta shprehë edhe marrëzinë. Rrjetet e ashtuquajtura sociale mundësojnë përfitime për shkak të shikueshmërisë së publikut. Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë reklama dhe sa më shumë reklama, aq më shumë përfitime financiare.
Dëshira për dukje është njerëzore, por dikush bëhet i famshëm me vepra dhe dikush me marrëzi.
Për të parët lavdia bëhet barrë e rëndë, prandaj duan të jenë larg buçimave ditore. Odiseas Elitisi tha: “Nuk jam për vitrina”.
Arritja e lavdisë nëpërmjet kreativitetit, ideve dhe veprave është dobiprurëse edhe në planin shoqëror, por për ta arritur këtë duhet mund pa fund.
Gjeniu shfaqet kur ka diçka për t’i kumtuar botës dhe jo sa për të folur, kurse llafazani shfaqet që të jetë i dukshëm edhe pse nuk ka asgjë të re për të thënë.
Duke dashur të jetë sa më i pranishëm nën “reflektorët e Hyjneshës Aktualitet”, siç tha Milan Kundera, llafazani bëhet i “lavdishëm” me marrëzira.
Madje, këta tipa, që s’mund ta ndryshojnë vetveten, duan ta ndryshojnë edhe shoqërinë dhe botën. Pa investuar në përgatitjen personale e profesionale, duan të sjellin ndryshime komunitare, kombëtare dhe epokale.
Me mendje të papastruar nga klishetë dhe me fond modest ligjërimi, ata flasin me kompetencë për gjithçka, veçanërisht për ngjarjet ditore.
Këta tipa shumëfishojnë mendime të parafabrikuara, kurse me sjelljet “teatrale” duan të jenë aty ku çmendet zhgani.
Tipat me prirje të tepruar për vëmendje dhe për t’u dukur të rëndësishëm e humbin kontaktin me realitetin. Duke dëgjuar vetëm zërat e jashtëm, pa dëgjuar zërat e brendshëm, ata mendojnë se janë ashtu siç nuk janë.
Ata duhet të shpërfillen, ashtu siç ndodhi edhe në antikë. Megjithatë, për sa kohë shumica e pëlqen më shumë marrëzinë sesa të bukurën ose urtësinë, do të kenë terren të përshtatshëm për të qenë yje të çastit. Vjen dita kur do t’i përpijë harresa, por bëjnë shumë dëm, sepse bëhen modele për shoqërinë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.