Presidentja Siljanovska pas dhjetë vitesh thotë se qeveria teknike nuk ka bazë kushtetuese
Presidentja dhe profesoresha e së Drejtës Kushtetuese, Gordana Siljanovska Davkova, në një paraqitje në Sitel deklaroi se takimet e drejtpërdrejta mes liderëve të partive politike janë më të dobishme sesa bisedimet përmes ndërmjetësve, por njëkohësisht tha se qeveria teknike e Przhinës, e cila ka qenë realitet para çdo zgjedhjeje parlamentare tashmë prej dhjetë vitesh, është “mbipartiake” dhe se “nuk ka bazë kushtetuese”, transmeton Portalb.mk.
Sipas saj, pas takimit të fundit të liderëve, “të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë të relaksuar dhe të bindur se hapi i radhës do të jetë edhe më i mirë”, por vlerëson se në takim është dashur të marrë pjesë edhe lideri i opozitës nga LSDM-ja, Venko Filipçe.
Sa i përket qeverisë teknike, Siljanovska-Davkova e cilësoi atë si “strukturë mbipartiake pa bazë kushtetuese”.
Presidentja theksoi se në Kushtetutë nuk ekziston nocioni i qeverisë kalimtare apo teknike dhe se modeli që zbatohet te ne është specifik dhe problematik.
Si çështje të diskutueshme ajo përmendi ministrat shtesë dhe zëvendësministrat me të drejtë vetoje, si dhe rolin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në kontestet financiare.
Ajo rikujtoi se shfuqizimi i qeverisë teknike ka qenë temë kritike nga të gjitha partitë, përfshirë edhe LSDM-në, edhe në të kaluarën.
Kujtojmë që shfuqizimi i qeverisë tekninke ishte temë diskutimi në takimin e liderëve të partive politike që u mbajt para pak ditësh, pas së cilit liderët deklaruan se kanë shprehur mbështetje për shfuqizimin e qeverisë teknike.
Megjithatë, me këtë nuk pajtohet LSDM-ja opozitare, sipas të cilëve qeveria teknike duhet të ekzistojë.
- LEXO: Përfundoi takimi i liderëve të RMV-së, Mickoski: Patëm diskutim të frytshëm, për shumë çështje kemi qëndrime të njëjta
- LEXO: Filipçe drejtuar Mickoskit: Takim me kriminelë nuk do të ketë, qeveria teknike do të mbetet
Kujtojmë se Marrëveshja e Përzhinës u arrit në vitin 2015 mes partive kryesore në Maqedoninë e Veriut, me ndërmjetësim ndërkombëtar, për të dalë nga kriza politike e asaj kohe. Mes tjerash ajo parashikon formimin e qeverisë teknike rreth 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Në këtë qeveri, opozita merr disa ministri si ajo e Punëve të Brendshme, si dhe zëvendësministra me të drejtë vetoje. Qëllimi është të sigurohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke parandaluar keqpërdorimin e institucioneve nga pushteti. Qeveria teknike nuk është e parashikuar në Kushtetutë, por bazohet në këtë marrëveshje politike. Ajo është zbatuar para çdo zgjedhjeje parlamentare që nga viti 2016.