Përfundoi takimi i liderëve të RMV-së, Mickoski: Patëm diskutim të frytshëm, për shumë çështje kemi qëndrime të njëjta
Përfundoi takimi i liderëve të Maqedonisë së Veriut. Liderët nuk kanë arritur marrëveshje për ndonjë çështje specifike, por Mickoski tha se për shumë prej tyre kishin qëndrime të njëjta. Ali Ahmeti tha se propozimi i BD-së për Qeverinë dhe Badenterin duhet të diskutohen përsëri me Mickoskin në një takim tjetër. Bilall Kasami nga VLEN, nga ana tjetër, pas takimit tha se si koalicion kanë shprehur mbështetje për largimin e qeverisë teknike, që del nga marrëveshja e Përzhinës. Ai shtoi se në rast se liderët e partive të tjera pajtohen që në zgjedhjet e ardhshme të shfuqizohet qeveria teknike, të njëjtën do ta pranojë VLEN, por që propozimi i tyre është që qeveria teknike të shfuqizohet pas mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të rregullta parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri, Hristijan Mickoski, njoftoi në një konferencë për shtyp pas takimit të liderëve se të gjithë të pranishmit ranë dakord që qeveria teknike duhet të jetë një gjë e së kaluarës.
“Të gjithë të pranishmit sot ishim për shumë gjëra dakord. Pati sugjerim nga njëri prej të pranishmëve për t’u konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare. Por, në përgjithësi, të gjithë ramë dakord që qeveria teknike duhet të shkojë në të kaluarën”, tha Mickoski
“Dmth propozimi ynë ishte që nëse merremi vesh të gjithë partitë, mund të shfuqizohet menjëherë. Nëse nuk ka marrëveshje nga të gjithë, edhe këtij zgjedhje të organizohen me këtë format të qeverisë, me qeveri teknike, pas këtyre zgjedhjeve të mos ketë qeveri teknike”, tha Kasami duke shtuar se fjalën e ka për zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, Kasami tha:
“Kërkuam që të shikohet mundësia që të ketë diaspora më shumë mundësi për të votuar, sepse ne vlerësojmë se diaspora është kontribuues i rëndësishëm i zhvillimeve veçanërisht ekonomike në vend, po ashtu edhe mundësia që të kemi lista të hapura dhe sigurisht që u diskutuan disa mundësi për zona zgjedhore, por ne nuk kemi të ndërtuar ende qëndrim”, theksoi Kasami.
Takimi i liderëve u iniciua nga kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Përveç Mickoskit, i cili shoqërohej nga koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në takimin e partnerëve të koalicionit në Qeveri marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i ZNAM-it dhe ministri i Administratës Publike Goran Minçev, si dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN. Nga grupet parlamentare të opozitës janë të pranishëm liderët e Levicës dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili refuzoi ftesën e Mickoskit, nuk erdhi në takim.
Siç u njoftua, në takimin e liderëve janë diskutuar ligjet reformuese në gjyqësor, zgjedhja e Avokatit të Popullit, Kodi Zgjedhor dhe shfuqizimi i qeverisë teknike, si dhe çështje të tjera të propozuara nga pjesëmarrësit në takim.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, refuzoi thirrjen për takim, duke akuzuar Mickoskin se kërkon alibi për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas tij, qeveria teknike duhet të mbetet sepse ishte garantuese e zgjedhjeve të ndershme dhe një mekanizëm kontrolli për të parandaluar abuzimin e institucioneve. Lidhur me agjendën e reformave, Filipçe tha se diskutimi për ligjet do të zhvillohet në parlament, ku LSDM do t’i mbështesë të gjithë.
LSDM ka kundërshtuar hapur shfuqizimin e qeverisë teknike. Lideri Venko Filipçe deklaroi se nuk do të ulet në të njëjtën tryezë me “kriminelët” dhe se qeveria teknike është garanci për zgjedhje të drejta. Lidhur me agjendën e reformave, Filipçe theksoi se diskutimi do të zhvillohet në parlament, ku LSDM do të mbështesë të gjitha ligjet e reformës.
Nga ana tjetër, BDI vendosi mbrëmë në seancën e Këshillit të Përgjithshëm të marrë pjesë. Partia kërkon “Badenter” në zgjedhjen e Qeverisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Lideri Ali Ahmeti thirri nseancë të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën u diskutuan zhvillimet aktuale politike dhe organizimi brenda partisë.
DOM, si parti jashtëparlamentare, mirëpriti mundësinë për dialog mbi ligjet reformuese dhe kërkon ndryshim në modelin zgjedhor – një njësi zgjedhore, lista të hapura dhe pa prag. Përveç kësaj, partia këmbëngul në barazinë gjinore: 50% e kandidatëve në listat zgjedhore duhet të jenë gra. Sipas DOM, këto ndryshime do të sigurojnë përfaqësim më të drejtë politik dhe besim më të madh të qytetarëve në sistem.
Kërkesat e partive:
- Levica: një njësi zgjedhore dhe qasje e barabartë në media
- BDI: Badinter në zgjedhjen e Qeverisë dhe në Gjykatën Kushtetuese
- DOM: ndryshim i modelit zgjedhor, një njësi zgjedhore dhe 50% gra në lista
Tema kryesore e takimit të liderëve, sipas njoftimeve, do të jetë heqja e qeverisë teknike që formohet 100 ditë para zgjedhjeve. Për heqjen e saj kërkohet një shumicë prej 61 deputetësh.
Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi deklaroi se një qeveri teknike nuk i ngjan një vendi të NATO-s për të organizuar zgjedhjet, duke shtuar se është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kryeministri Mickoski, në një paraqitje televizive, tha pret që të gjithë udhëheqësit e koalicioneve parlamentare ta pranojnë ftesën e tij për takim liderësh, dhe rendi i ditës, siç shtoi ai, mund të zgjerohet dhe plotësohet me propozime nga parti të tjera.
Kryeministri gjithashtu pret që udhëheqësit e partive dhe koalicioneve parlamentare të arrijnë konsensus mbi çështjet kyçe për shtetin që do të diskutohen në takim.
Mirëpo Filipçe iu kundërpërgjigj se takim me kriminelë nuk do të ketë.
- LEXO: Mickoski do të kërkojë takim liderësh për konsensus mbi ligjet reformuese dhe shfuqizimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve
- LEXO: Filipçe drejtuar Mickoskit: Takim me kriminelë nuk do të ketë, qeveria teknike do të mbetet
- LEXO: Filipçe kundër shfuqizimit të qeverisë teknike, por thotë se edhe nëse ndodh, LSDM do të merrte pjesë në zgjedhje