Presidenti Pendarovski e nënshkroi ligjin që lejon fushata shtetërore me pagesë në mediat private

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski e ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për Ndryshim dhe Plotësim të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Me këtë, pas shpalljes në Gazetën Zyrtare, hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore të cilat do t’i rikthejnë fushatat shtetërore me para nga buxheti në mediat private, shkruan Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski nënvizon se në Ligj qartë është definuar se çfarë paraqet fushatë shtetërore me interes publik, në nivel shtetëror ose lokal.

“Njëkohësisht, ndryshimet e Ligjit e limitojnë buxhetin, gjegjësisht lartësinë e mjeteve të cilat nga buxheti i shtetit mund të shpenzohen për fushata në nivel shtetëror dhe lokal. Ligji parashikon procedurë, në të cilën rol qendror ka komisioni i cili është i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike edhe nga pushteti edhe nga opozita, në bazë prioriteti”, thonë nga Kabineti i Presidentit.

Gjithashtu, siç shtojnë nga Presidenca, në ligj precizohen kriteret sipas të cilave mund të konkurrojnë radiodiifuzerët në të cilët do të tregohen fushatat shtetërore ose lokale.

“Kjo do të thotë, për dallim prej më herët kur Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në mënyrë arbitrare vendoste se kujt sa para do t’i japë, tani është rregulluar me precizitet si për mediat ashtu edhe për atë se sa para do të marrin për fushata në nivel shtetëror dhe lokal. Ky ligj është miratuar në Kuvend pa dorëzimin e amendamenteve nga opozita, që siç theksojnë nga Kabineti, opozita nuk ka vërejtje për përmbajtjen e tij”, thonë nga Presidenca.

Ata arsyetohen se shumica e vendeve të BE-së kanë rregullativë me të cilën mundësohen fushatat në media me interes publik.

“Në ditët e kaluara, presidenti Pendarovski do të realizojë komunikim me të gjitha palët e përfshira, gjegjësisht me ata që janë për dhe kundër Ligjit. Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski pret që në kohë sa të shkurtër të vazhdojë dialogu për mbrojtjen dhe avancimin e mediave në internet me qëllim të avancimit të veprimit të onlajn mediave në fushën mediatike, duke e pasur parasysh se në portale punojnë një pjesë e madhe e gazetarëve”.

Ndaj këtij ligji janë kundër Shoqata e Gazetarëve, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik, Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë, Instituti për Media, Instituti për Hulumtim të Zhvillim Shoqëror, Instituti i Studimeve të Komunikimit, por edhe Qendra për Zhvillim të Mediave, të cilat paraprakisht reaguan ashpër ndaj shfuqizimit të ndalesës për reklamim shtetëror në mediat private.

“Futja e fushatave shtetërore në media, veçanërisht në kontekstin parazgjedhor, mund të interpretohet si një tentativë për ryshfet partiak dhe krijim të varësisë së medias, gjë që seriozisht e rrezikon pavarësinë dhe pluralizmin e tyre, dhe rrjedhimisht procesin zgjedhor që pason”, thuhet në reagimin e organizatave.

Ata theksojnë se është koha e fundit për të krijuar një Fond të Pluralizmit Mediatik, i cili do të mbështesë gazetarinë cilësore dhe prodhimin e përmbajtjeve të larmishme, në kundërshtim me reklamat shtetërore që shërbejnë si një mjet për ndikim dhe kontroll politik, si dhe të konsiderohen mundësi të tjera të propozuara si p.sh. përjashtimi nga tatimet për gazetarët dhe punonjësit e medias.

Paraprakisht, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka theksuar se është kundër që reklamimi parazgjedhor i partive politike të bëhet me para nga Buxheti shtetëror.

“Në vitin 2019 kishte ndryshim të ASHMAA-së, nenit famoz 102. Kur u deklarova atëherë se jam kundër, mediat, veçanërisht pesë televizionet nacionale, më akuzuan se punoj kundër tyre. Operatorët gjithashtu akuzuan se punoj kundër tyre. Qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për reklama në kuptimin e periudhës parazgjedhore. Por, do të shkoni në shtëpitë tuaja (mediatike) dhe do të pyesni pse insistojnë mu në këtë ligj. Unë megjithatë do të jem i akuzuar, por qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për atë punë”, tha Xhaferi.

Kundër qëndrimit të Xhaferit është zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, i cili nuk mendon se partitë politike duhet që të heqin dorë nga reklamimi i financuar nga paratë shtetërore. Duke e sqaruar qëndrimin e tij paraprakisht, ai ka deklaruar se procesi është “publik dhe transparent”.