Premiera e ‘Dramë për të qeshë’ solli satirë dhe humor në Teatrin e Tetovës

Në Teatrin e Tetovës u shfaq premiera e veprës “Dramë për të qeshë”, një komedi e re me autor dhe regjisor Sulë Rushiti-Korbi, e cila u prit me interes nga publiku. Shfaqja solli në skenë një qasje të veçantë ndaj humorit, duke u ndërtuar mbi situata të përditshme, personazhe të dallueshme dhe dialogë të mprehtë, që reflektojnë realitetin tonë shoqëror në mënyrë satirike, shkruan Portalb.mk.

Përmes ironisë dhe të qeshurës, vepra trajton tema të njohura për publikun, duke nxjerrë në pah kontradiktat, absurditetet dhe sfidat e jetës së përditshme. Humori nuk shërben vetëm për argëtim, por edhe si mjet për reflektim, duke e bërë shfaqjen të afërt dhe të kuptueshme për të gjitha moshat.

Foto nga shfaqja ‘Dramë për të qeshë’. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)
Foto nga shfaqja ‘Dramë për të qeshë’. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)

Në skenë u shpalos një paletë e larmishme personazhesh, të cilët u përplasën me një varg ngjarjesh të papritura që gjeneruan situata të reja, po aq befasuese. Këto përplasje krijuan momente komike dhe absurde, por njëkohësisht thellësisht njerëzore. Në këtë lojë të dendur mes tensionit dhe humorit u shpërfaqën klishetë ndaj artistëve, përplasjet e egove, marrëdhëniet e brishta me pushtetin, si dhe lufta e përhershme për hapësirë, vëmendje dhe ndikim.

Foto nga shfaqja ‘Dramë për të qeshë’. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)
Foto nga shfaqja ‘Dramë për të qeshë’. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)

Shfaqja pasqyron shoqërinë përmes një kohe skenike që rrjedh saktësisht njësoj si koha reale, ku personazhet e botës së përditshme ndërhyjnë në botën e fikcionit, duke shkrirë kufijtë mes asaj që jetojmë dhe asaj që interpretojmë”, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Teatrit të Tetovës.

Në shfaqje luajtën aktorët: Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi.

Foto nga shfaqja ‘Dramë për të qeshë’. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)
Foto nga shfaqja ‘Dramë për të qeshë’. Foto: Teatri i Tetovës (Facebook)