Pasi Mickoski tha se e kishte kthyer emrin Maqedoni, Greqia ia kujtoi se emri është në kushtetutë
Emri kushtetues i vendit fqinj është Maqedonia e Veriut dhe Marrëveshja e Prespës është pjesë e Kushtetutës së saj, tha Ministria e Punëve të Jashtme Greke (MPJ) në një përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se ia kishte kthyer emrin Maqedoni vendit. Në përgjigje thuhej se Marrëveshja e Prespës është absolutisht e detyrueshme për të dyja palët, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm, transmeton Portalb.mk.
“Nuk ka situata de facto në marrëveshjet ndërkombëtare, zbatimi i tyre është uniform dhe universal. Progresi në marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimi i qetë i rrugës evropiane të fqinjit kërkojnë respektim të rreptë të marrëveshjeve dhe respektim të parimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, thuhej në deklaratën e MPJ-së greke.
Në përgjigje thuhej gjithashtu se çdo përpjekje për të falsifikuar ose ndryshuar përmbajtjen e Marrëveshjes së Prespës nuk do të pranohet nga pala greke.
“Marrëveshja e Prespës është pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimi i saj është baza për bashkëjetesë paqësore të popujve dhe shteteve”, shtoi Ministria e Jashtme greke.
Kryeministri Hristijan Mickoski, më 15 dhjetor, gjatë një paraqitjeje në televizionin Sitel, tha se ia kishte rikthyer emrin vendit, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me kritikat nga LSDM-ja opozitare se nuk mund t’i besohet, ndër të tjera, sepse premtoi të anulonte Marrëveshjen e Prespës, gjë që nuk është bërë.
“I shoh, aha, Mickoskit nuk mund t’i besohet, tha se do ta kthente emrin, do ta anulonte Marrëveshjen e Prespës. Ja ku e kemi përsëri. Edhe Venko, i cili e kishte gojën plot me Maqedoninë e Veriut, tani po e përdor Maqedoni. Edhe në LSDM, të cilët nënshkruan marrëveshje të tilla kapitullimi si Marrëveshja e Prespës dhe pranuan kapitullimin ndaj Bullgarisë, sot janë patriotët më të mëdhenj, mendon se do të nisen për të pushtuar territore, gojët e tyre janë plot me Maqedoni, nuk e kanë thënë kurrë Maqedoninë e Veriut. Pra, ja ku e kemi përsëri”, tha Mickoski.
Sivjet janë bërë shtatë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek.
Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.